Ftohen organet e drejtësisë të nisin hetimet për grevën e kirurgëve

Ftohen organet e drejtësisë të nisin hetimet për grevën e kirurgëve

Kanë kaluar rreth një muaj prej kur mjekët kirurgë të Kosovës janë në grevë.

Aktualisht në grevë janë rreth 200 kirurgë në gjithë Kosovën, jashtë organizimit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë.

Vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas llogaritjeve të bëra, mbi 200 operacione joemergjente në ditë, nuk po kryhen si pasojë e grevës.

Edhe pse pagat për mjekët kirurgë pritet që të rritën në 1 mijë e 200 euro brenda pak ditësh, ata po kërkojnë pagë 4 mijë euro.

E nga greva e kirurgëve më së shumti po e pësojnë pacientët, të cilët përveç që nuk po mund t’i marrin shërbimet në Institucione Publike, po detyrohen që të shkojnë në klinika private.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar edhe me kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Sylen, i cili ka thënë se Federata Sindikale e Shëndetësisë ka organizuar grevë me 26 dhjetor të vitit të kaluar e që e kishte zgjatur 72 orë, e cila më pas është ndërprerë, duke i dhënë mundësi dialogur social me zyrtarë nga Qeveria e Kosovës.

“Sindikata ka bërë një grevë 72 orëshe e cila është përfunduar. Pas disa takimeve me zyrtarë të ministrisë edhe me kryeministrin Ramush Haradinajn, ne kemi marr disa premtime të cilat besojmë që do të plotësohen. Tashmë disa kirurg për të cilët unë nuk  e di kush janë, janë duke mbajtur grevë, unë pajtohem me kërkesat e mjekeve por jo edhe me veprimet që po behën tani, sepse po e pësojnë pacientet”, ka thënë Syla.

Ndërsa sa i përket referimit të pacienteve nga QKUK në klinikat private, Syla ka thënë se me këtë çështje duhet që të merret shteti.

“Lidhur me këtë duhet që të merret shteti, ky është bojkot, jo grevë por bojkot për mosplotësim të kërkesave”, ka thënë Syla.

Në anën tjetër Besim Kodra, udhëheqës i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, e cilëson grevën si të kundërligjshme dhe thotë se ajo duhet të ndërpritet.

“Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK  shprehë shqetësimin e sajë për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë! Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm duke e aplikuar pagesën për përformancë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se është e papranueshme që stafi mjekësor t’i përdor, siç thotë ai, pacientët si “armës” në “Luftën” që ata po bëjnë me Qeverinë.

“Është e pa pranueshme që stafi mjekësor t’i përdor pacientët si “armë” në “luftën” që ata po bëjnë me Qeverinë për rritjen e pagave të tyre. Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i pa drejtë kur e dijmë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është psh. Protesta”, ka thënë Kodra.

Kodra ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të nisin procedura gjyqësore, pasi sipas tij një grevë e tillë është e paligjshme.

Ai po ashtu ka thënë se konsiderojnë se pacientët janë duke u bartur në institucionet private shëndetësore, në mënyrë që të mund të ndalin vuajtjet dhe dhimbjet e tyre.

“Ne e konsiderojmë edhe më shqetësues faktin kur kjo grevë stafit mjekësor po bëhet jasht organizimit sindikal. Për këtë i ftojmë organet e drejtësisë të nisin procedura gjyqësore, pasi që një grevë e tillë është e pa ligjshme dhe krijon anarki. Pacientët kanë të drejtë të mos durojnë vuajtje dhe dhimbje të pa nevojshme, dhe kjo e drejtë po u shkelet nga stafi mjekësor, duke refuzuar të japin shërbime për ta! Për këtë ftojmë institucionet e drejtësisë të nisin hetime”, ka deklaruat tutje Kodra.

Kodra u ka bërë thirrje përfaqësuesve stafit mjekësor që ta ndërpresin grevën dhe Qeverisë së Kosovës të reflektoj ndaj kërkesave të grevistëve.

Ndërsa, e kontaktuar nga Lajmi.net, pacientja me inicialet E.M. ka pasur që të kryej një operim gjatë kësaj jave në QKUK, mirëpo si pasojë e grevës kjo pa qenë e pamundur.

Ajo ka thënë se është detyruar që të shkoj në një klinikë private për ta përfunduar operimin.

“Nuk kam mundur ta kryej operimin edhe pse kam qenë në listë për këtë javë. Jam detyruar që të shkoj në privat. Kam paguar 1 mijë e 500 euro për këtë operim. Nuk është në rregull që për shkak të interesave të ngushta të mjekëve të pësojmë ne pacientët”, ka thënë ajo.


MË SHUME NGA Shëndetësi