“Rënia e dëborës”

“Rënia e dëborës”

“Rënia e dëborës” nga Ismail Kadare

Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend

Se qielli rastësisht s’u mbyll

Se kjo dëborë që shtroi kudo

Në të vërtetë ra për ty.

 

U projektua çdo kristal

I saj në qiell të madh diku

Dhe nuk pushoi së rëni ajo

Gjersa i gjeti flokët e tu.

 

Që ti ta shkundje me një gjest

Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim

Një natë të tërë qielli punoi

me ernat në bashkëpunim.

 

Dhe në mëngjes i zbehtë ai,

I ftohtë hapej madhërisht,

ndërsa shëtisnim ne të dy

Nën altruizmin e tij të hirtë.