Ngjarjet kryesore të botës në vitin 1969

Ngjarjet kryesore të botës në vitin 1969

Gjysëm shekulli më parë bota ishte përfshirë nga trazirat – po zhvillohej gara e hapërsirës, e cila arriti kulmin në vitin 1969 me zbritjen e njeriut të parë në Hënë. Konflikti në Vietnam ishte temë e ditës: Presidenti Nixon njoftoi tërheqjen graduale të trupave amerikane prej andej dhe njëri prej anëtarëve të Bitëllasve, John Lennon, ktheu medaljen e titullit të kalorësisë, që i kishte dhënë Mbretëresha e Britanisë, në shenjë proteste ndaj luftës.

Më 16 janar të vitit 1969, anija sovjetike e hapësirës Soyuz 4 u bashkua me sukses me simotrën e saj Soyuz 5. Dy kozmonautë kaluan për herë të parë nga Soyuz 5 për në Soyuz 4 me një ecje në hapësirë, ndërsa të dyja anijet qëndronin të lidhura së bashku.

Lidhja e dy anijeve, të cilën rusët e përshkruan si “stacioni i parë eksperimental i hapësirës në botë” u transmetua me television në Bashkimin Sovjetik.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara po atë vit pati transferim të pushtetit – më 20 janar Richard M. Nixon u inaugurua si Presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara.

Në të njëtin vit, në mars, u shënua një tjetër triumf i teknologjisë: në vendlindjen e industrisë aeronautike franceze dhe europiane, Blagnac, në periferi të Tuluzës, nisi fluturimin avioni i parë Konkorde.

Më 17 March 1969, Golda Meir u bë kryeministrja e parë grua e Izraelit dhe e botës.

Meir qëndroi në këtë post nga viti 1969 deri më 1974 dhe u bë e njohur si “zonja e hekurt” e politikës izraelite. Ajo kishte lindur në Kiev të Ukrainës ishte rritur në Milwaukee të Shteteve të Bashkuara.

Meir përjetoi një periudhë të vështirë gjatë viteve në këtë post, siç ishte fillimi i rrëmbimeve dhe sulmet ndaj izraelitëve nga palestinezët.

Pas vrasjes së 11 atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut më 1972, Meir urdhëroi vrasjen nga agjencia izraelit e zbulimit, Mosad, të militantëve palestinezë në Europë.

Ajo dha dorëheqjen pas Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973, kur Egjipti dhe Siria filluan një sulm të papritur ndaj Izraelit. Edhe pse ushtria izraelite u rezistoi sulmeve, pati një numër të madh viktimash, duke e dëmtuar rëndë legjitimitetin e zonjës Meir, që u gjet e papërgatitur për këto zhvillime.

Më 22 prill 1969 marinari britanik Robin Knox-Johnston kreu një udhëtim historik solo dhe pa ndalesa nëpër botë, me një barkë të vogël prej druri që e kishte ndërtuar vetë, duke u përballur me erërat e uraganëve.

Në 1969 në Shtetet e Bashkuara u shtuan pakënaqësitë për dështimin e luftës së Vietnamit. Vite të tëra me bombardime dhe një luftë tokësore intensive nuk sollën ndonjë rezultat.

Pas ofensivës së janarit të vitit 1968 nga Vietnami i Veriut dhe Vietkongu, numri i viktimave amerikane u rrit; masakra si ajo në My Lai kundër qindra civilëve u ekspozuan para publikut dhe në Shtetet e Bashkuara u rritën ndjenjat kundër luftës.

Presidenti i porsazgjedhur amerikan Nixon shpalli politikën e “vietnamizimit”, të rritjes së rolit luftarak të trupave të Vietnamit të Jugut, që i hapi rrugën fillimit të tërheqjes së trupave amerikane nga Vietnami në qershor të vitit 1969. Në nëntor të atij viti, në Uashington u zhvillua një protestë kundër luftës në Vietnam, demonstrata më e madhe e zhvilluar deri në atë kohë në kryeqytetin amerikan, me pjesëmarrjen e 600 mijë vetëve.

Marrëveshja e Paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit të Veriut u nënshkrua në vitin 1973 në Paris dhe në mars të atij viti u larguan nga Vietnami trupat e fundit amerikane. Në vitin 1975 Vietnami i Jugut iu dorëzua atij të Veriut.

Një hap i vogël i një njeriu, u cilësua si një hap gjigand për njerëzimin. 50 vjet më parë, më 20 korrik të vitit 1969, zbriti njeriu i parë në Hënë, duke lënë gjurmë në sipëfaqen ranore të këtij planeti. Neil A. Armstrong, Edward E. Aldrin dhe Michael Collins realizuan ëndrrën shumëvjeçare të njerëzimit. Armstrong ishte njeriu i parë që kreu ecje në sipërfaqen e panjohur të Hënës; ai u pasua 18 minuta më vonë nga Buzz Aldrin. Ecja në Hënë shënoi fitoren e Amerikës në garën e Luftës së Ftohtë.

Në vitin 1969, në Irlandën e Veriut u zhvilluan përleshje mes katolikëve dhe qeverisë protestante. Katolikët, të cilët kishin pakënaqësi për pabarazi sociale, u përleshën me policinë në Londonderry, ndërsa protestantët sulmuan shtëpitë e katolikëve në Belfast. Britania dërgoi ushtrinë saj në rolin e paqeruajtësve. Katolikët u armiqësuan me qeverinë protestante, që përdori forcat e saj për të luftuar Ushtrinë Republikane Irlandeze, një grup i katolikëve. Ky grup filloi të vriste policë, ushtarë dhe të kryente sulme me bombë në fillim të viteve ’70.

Në Irlandën e Veriut, me rreth 1,7 milionë banorë, në katër dekada me gjakderdhje, pati 3 mijë e 600 të vrarë. Megjithëse atje ka 20 vjet që është vendosur paqja, konflikti vazhdon të ekzistojë në heshtje, duke shpërthyer herë pas here. Politikanët republikanë po përpiqen ta bashkojnë Irlandën, duke kërkuar mbështetje nga të dyja pjesët e ishullit.

Më 15 gusht të vitit 1969, në zonën veriore të qytetit të Nju Jorkut u hap Festivali Woodstock dhe Panairi i Artit. Në festival u mblodhën rreth 400,000 tifozë, të cilët për tre ditë rresht interpretuan dhe dëgjuan muzikë në zonën rurale Bethel të distriktit Sullivan.

Disa ditë më vonë, më 17 gusht të vitit 1969, Uragani Camille goditi brigjet e Mississippit, me fuqinë e një stuhie të shkallës së pestë, duke shkaktuar 256 të vdekur në Shtetet e Bashkuara dhe 3 në Kubë.

Më 1 shtator të atij viti, në Libi pati një grusht shteti që solli në fuqi Muammar Gaddafin. Ai sundoi për 42 vjet, deri në kryengritjen e vitit 2011, kur Libia ra në kaos. Gadhafi 69-vjeçar u vra gjatë Pranverës Arabe, kryengritjes që përfshiu Lindjen e Mesme, me kërkesat për t’i dhënë fund sundimtarëve autokratë dhe për vendosjen e demokracisë.

Më 25 nëntor 1969, anëtari i Bitllësave, John Lennon, ia ktheu Medaljen e Urdhërit Kalorsiak Mbretësisë së Bashkuar, si protestë për qëndrimin e Britanisë ndaj Luftës së Vietnamit dhe luftës civile në Nigeri.