LDK: Të vendosur për ruajtjen e kufijve

LDK: Të vendosur për ruajtjen e kufijve

Në 13-vjetorin e vdekjes së ish- presidentit, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka organizuar akademi përkujtimore.

Me këtë rast, kryetari i LDK-së Isa Mustafa,  ka thënë se partia që ai drejton  do të vazhdojë me rrugën integruese të Kosovës, të formuluar nga presidenti i ndjerë.

Sipas tij, LDK-ja mbetët besnike e  fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë së përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet perëndimore.

“Lidhja demokrate e Kosovës sot po punon me përkushtim të veçantë për t’i realizuar prioritetet e saj të cilat me vizionet dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar presidenti historik, doktori Ibrahim Rugova. Lidhja Demokratike mbetët besnike e  fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë së përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet perëndimore. Ajo do të angazhohet me vendosmëri që të ndjek rrugën e  integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike që është alternativa e vetme perspektive për qytetareve tonë e formuluar si e tillë nga vet presidenti Rugova”, ka thënë Mustafa.    

Kreu i LDK-së, gjithashtu theksoi se partia e tij  është e vendosur që të ruaj shtetësinë e Kosovës në kufijtë që ka shpallur pavarësinë.

“Por mbetemi po ashtu të vendosur të ruajmë shtetësinë tonë, ta ruajmë Kosovën në kufijtë që e ka shpallur pavarësinë. Të ruajmë identitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës. Mirëpo ashtu siç preferonte Rugova edhe për kundër dallimeve të natyrshme, ardhmërinë mund të pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë”, tha ai.

I pari i LDK-së foli dhe për rolin dhe ndikimin e ish-presidentit Rugova. Ai tha se presidenti Rugova ka qenë një njeri i urtë që lindi dhe mbeti si njëri i vendit.

Sipas tij, presidenti Rugova ishte prijësi i qytetarëve që lidhet me një epokë, siç thotë ai, epokën e pavarësisë.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së LDK-së dhe bashkëpunëtori i afërt i tij, Sabri Hamiti, ka folur rreth krijimtarisë letrare të ish-presidentit Rugova.

Hamiti, theksoi se ish-presidenti Rugova prej se kur ka hyrë në Institutin Albanologjik në vitin 1972 ka arritur deri tek titulli i këshilltarit shkencor.

Sipas tij, Ibrahim Rugova në njërën anë ka gjurmuar letërsinë klasike shqiptare, e në anën tjetër ka lexuar dhe vlerësuar letërsinë bashkëkohore.

"Ibrahim Rugova hyri në Institutin Albanologjik më 1972, për t’u ngritur deri në nivelin e titullit të Këshilltarit Shkencor. Tashmë me staturën e Autorit e të autoritetit letrar, Ibrahim Rugova ngjitej shkallëve të ekselencës. Në një anë, duke gjurmuar letërsinë klasike shqiptare për të rimarrë trashëgiminë. Në anën tjetër, duke lexuar e vlerësuar letërsinë bashkëkohore. Në thelb, duke thelluar njohjen e aktit krijues, studimin e formave letrare, për të kurorëzuar teorinë e kritikës e të letërsisë, duke u ballafaquar me metodat moderne evropiane.”, tha Hamiti.

Në 13-vjetorin e vdekjes së Ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë ditës së sotme pothuajse gjithë elita politike e Kosovës kanë bërë homazhe tek varri i tij.