Europa Juglindore me zhvillim të mirë ekonomik

Europa Juglindore me zhvillim të mirë ekonomik

Ekonomia botërore pritet të rritet me rreth 3 përqind këtë vit. OKB thekson se vitin e ardhshëm zhvillimi ekonomik do të jetë afërisht si këtë vit.

Rritja ekonomike në SHBA parashikohet të jetë 2,5 përqind, kurse në Bashkimin Europian 2 përqind, kryesuar nga Polonia me 5 përqind. Në Gjermani rritja ekonomike pritet të jetë 1,8 përqind, njëjtë dhe në Francë. Në Kinë rritja ekonomike pritet të jetë 6,3 përqind, kurse në Brazil dhe Rusi pritet rritje e moderuar ekonomike.

Këto të dhëna u bënë të ditura ditën e hënë (21.01) nga departamenti i çështjeve ekonomike dhe sociale, i cili publikoi raportin vjetor mbi situatën ekonomike dhe perspektivat. Grindjet për çështjet tregtare, ndryshimet e klimës dhe egoizmi në zgjidhjen e problemeve globale janë duke rrezikuar perspektivën e zhvillimit ekonomik, thonë ekspertët financiarë të OKB.

Elliot Harris, kryeekonomisti i OKB, thotë se tensionet për çështjet tregtare “janë duke ndikuar tashmë në tregtinë globale dhe tregun e punës”. Po ashtu rritja e borxheve publike në shumë vende e bën të vështirë sigurimin e shërbimeve bazë. Prandaj forcimi i bashkëpunimit ekonomik është bazë për zhvillimin e qëndrueshëm, thuhet në raport.

EJL me rritje të mirë ekonomike

Në rajone si në Europën Juglindore, rritja ekonomike më 2018 ka qenë më e shpejtë dhe prodhimi i përgjithshëm bruto pritet më 2019 dhe 2020 të rritet 3,7 përqind, thotë raporti i OKB për ekonominë, që u bë publik në të njëjtën ditë që në Davos filloi forumi ekonomik botëror.

Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit ka përfituar nga rritja e investimeve dhe prodhimet e larta në bujqësi dhe ndërtim, kurse Shqipëria ka patur zhvillim “solid” të ekonomisë, por përparimet afatgjata rrezikojnë të mbeten të ulta, nëse nuk përmirësohet infrastruktura industriale dhe varësia nga financimet e huaja. Rritja ekonomike në Maqedoni filloi të dalë nga niveli zero që ishte vitin e fundit. Një valë e madhe investimesh i dha hov rritjes ekonomike në Mal të Zi, por përfundimi i disa projekteve të infrastrukturës do të përmirësonte perspektivën e zhvillimit, thuhet në raportin e OKB.

Tregu i punës dhe inflacioni në EJL

Tregu i punës në rajon u përmirësua më 2018, me nivel papunësie që ra pak në Shqipëri, ndërsa mbeti në nivel të lartë në Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni duke penguar perspektivën e zhvillimit dhe dëmtuar kualitetin e punës. Inflacioni është rritur disi, i nxitur nga kërkesa e lartë në treg dhe çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit. Rritja e çmimeve ka mbetur e ulët dhe inflacioni është poshtë kufizimeve të vendosura nga bankat qendrore. Mes vendeve të rajonit, Shqipëria dhe Serbia kanë politikë fleksibël monetare. Niveli i përgjithshëm bruto që pritet të rritet 3,7 përqind këtë vit dhe vitin e ardhshëm, bazohet kryesisht tek investimet dhe eksporti.

Migracioni i lartë mbetet sfidë politike sidomos për Serbinë. Rajoni është duke tërhequr investimet e huaja në sektorët e shërbimit financiar, telekomunikacionit, tregtisë me pakicë dhe pasuritë e patundshme. (DW)