Dita e Shkrimit me Dorë

Dita e Shkrimit me Dorë

Zhvillimi i përgjithshëm shoqëror në botë, përfshirë revolucionin teknologjik, ka bërë që praktika e mirë e shkrimit me laps në letër të shkojë gati drejt shuarjes. Në vitin 1977 shoqata e prodhuesve të mjeteve për shkrim zgjodhi 23 janarin si Ditën e Dorëshkrimit edhe me qëllim të promovimit dhe nxitjes të sa më shumë njerëzve që të shkruajnë me laps në letër.

Shkrimi elegant dhe i bukur është zëvendësuar me shkrimin kompjuterik, duke unifikuar çdo shkrim dhe duke humbur unikalitetin e shkruesit. Dorëshkrimi thuhet se mund të shpërfaqë madje edhe karakterin e autorit të shkrimit dhe kurrë dy njerëz nuk mund të shkruajnë njëjtë, pra dorëshkrimi është si shenja e gishtërinjve, unik për çdo person.

Liriku më i madh shqiptar, Lasgush Poradeci, që ka lënë margaritarë poetikë që do të shkëlqejnë përjetësisht, ka pasur një dorëshkrim shumë elegant dhe të bukur. Këtu po sjellim dorëshkrimin e një varianti të poezisë së tij “Syt’ e tu” (e botuar me titullin "Syt' e tu vetëtimtarët" te libri i poezive të Lasgushit "Vallja e Yjve"), të cilën Lasgushi ia kishte dërguar poetit tjetër të madh shqiptar dhe mikut të tij, Asdrenit. Fjalë të bukura e shkrim i bukur!

SYT’ E TU…

Syt’e tu, shkrepëtimtarët, i mbulon fjame i zi.

Syt’e tu shkrepëtimtarët shkrepin yj mi vala detesh…

Me ‘ndërim në sy , o vashë kaq e bukur ti më mbetesh

Si mbulon qipall’e rëndë të paçmuarshmat stoli.

 

Kur i pash’ – oh në nat’ helmi – kur i pash’ unë heshta shpesh;

Kur i pashë në nat’ helmi brëndërisht un’ henda  shijen

Dh’ unji vgjer’ i shentë degën, dega e dredhur unji hijen

Mi shtrat flete shtruar shpejto lakuriq ish qielli resh…

 

Syt’ e tu – enigm’ e kohës; syt’ e tu – çudi pa çmim;

Syt’ tu – kuptim’ i gjallë i shkretëttirës dhemshurishte.

Kish durim flak’ e pasosur, flak’ e hafsh durimi kishte

N’ u këput kaq drit’ e qejshme, në  pikoj kaq dëshërim

 

Syt’e tu, shkrepëtimtarët, sillen qark gjeratorisht.

Syt’ e tu shkrepëtimtarët flen në vënd aq levarashë:

Prej skëterrës mendimplote plot mendim kur un’ i pashë,

Syt’ e tu, shkrepëtimtarët, vetëtuan çmëndurisht

 

Në një poezi-protestë të vitit 1965, poeti ynë kombëtar nuk pranon autoritetin e imponuar të redaktorëve injorantë, që në atë kohë censuronin krijimet e Lasgushit. Këtu po sjellim dorëshkrimin e Lasgushit të kësaj poezie me dy katrena.

Redaktorët tru-kokallë

Redaktojnë vjershëtorët;

Po më thoni, cilët vallë

Redaktojnë redaktorët?

 

Redaktorët zemër-pisë,

Fyenjës të poezisë,

Cmir-mëdhenj që më qortojnë

Janë qen që s’më kafshojnë