24 janari Dita Ndërkombëtare e Arsimit

24 janari Dita Ndërkombëtare e Arsimit

Më 3 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi rezolutën me të cilën shpalli 24 janarin Ditë Ndërkombëtare të Arsimit, për të vlerësuar rolin e arsimit në paqe dhe zhvillim në botë.

Arsimimi është e drejtë njerëzore, e mirë publike dhe përgjegjësi publike. Pa arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë, vendet nuk do të arrijnë barazinë gjinore dhe të thyejnë qarkun e varfërisë që po lë miliona fëmijë, të rinj dhe të rritur në prapambeturi.

Sot, 262 milionë fëmijë dhe të rinj ende nuk shkojnë në shkollë, ndërsa 617 milionë fëmijë dhe adoleshentë nuk dinë shkrim-lexim. Sivjet, kur po shënohet për herë të parë kjo Ditë, UNESCO fton të gjitha qeveritë dhe partnerët e vet të bëjnë arsimin cilësor prioritet kryesor.

Dita Ndërkombëtare e Arsimit e gjen Kosovën me grevë të përgjithshme në të gjitha nivelet e arsimit, përfshirë edhe atë universitar. Arsimtarët e profesorët kërkojnë rritje të pagave të tyre, duke bllokuar me grevën e tyre tërë sistemin arsimor në Kosovë.

Fatkeqësisht asnjë nga qeveritë e Kosovës së pasluftës nuk e kanë pasur prioritet këtë fushë tejet të rëndësishme të veprimtarisë edukative, duke bërë që cilësia në arsim vetëm të shënojë rënie prej vitit në vit. 

 

Autor: rtklive