650 pjesëtarë të rinj do t’i bashkohen FSK-së

650 pjesëtarë të rinj do t’i bashkohen FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur të zbatojë pakon e ligjeve për ushtrinë, e cila ka hyrë në fuqi më 21 janar 2019. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama ka marrë mandantin edhe për 5 vjet të jetë në krye të ushtrisë.

Në një intervistë për Radio Kosovën, gjeneral Rama, tha se shumë shpejt ky institucion do të lansojë një fushatë për rekrutimin edhe të 650 pjesëtarëve të rinj. Fokusi do të jetë edhe tek pjesëtarët e minoriteteve.

Gjeneral, presidenti Thaçi ju ka dekretuar edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, në krye të FSK-së. Si e keni pranuar vazhdimin e kësaj përgjegjësie?

Rrahman Rama: Është nder dhe përgjegjësi, por edhe respekt të jem në krye të një institucioni me gjithë këto ndryshime, që ne si popull, si shtet i kemi pritur me dekada. Kjo është nder dhe privilegj. Përgjegjësia kuptohet është shumë e madhe. Do të jem i përkushtuar ta kryej detyrën ashtu si duhet. E kemi përvojën edhe prej të kaluar dhe besoj që do t’ia dalim, duke u bazuar tash edhe në ligjet e reja dhe obligimet detyrat shtesë që i kemi.

Si është disponimi i pjesëtarëve të ushtarëve, pas miratimit të paskos së ligjeve për ushtrinë me 14 dhjetor 2018?

Rrahman Rama: Ushtarët janë gjithmonë të motivuar, është obligim dhe përgjegjësi e jona që t’i motivojmë dhe të jemi të gatshëm të veprojmë në çdo situatë. Prej 21 janarit ligjet kanë hyrë në fuqi dhe që nga 21 janari kemi filluar t’i zbatojmë ato ligje, gjithmonë duke u bazuar në planin gjithpërfshirës ose në planin tonë afatgjatë që e kemi dhe hap pas hapi do të zhvillohemi, duke i kryer obligimet tona, por gjithmonë duke i ruajtur këto kapacitete që i kemi, sepse vendi dhe qytetarët kanë nevojë.

A është e mundur të zbatohet në tërësi përmbajtja e ligjeve, me kapacitetet që keni aktualisht?

Rrahman Rama: Ne si ministri kemi qenë sponsor të atyre ligjeve, kanë shkruar përmes qeverisë, parlamenti i ka votuar, presidenti i ka votuar. Janë ligje të zbatueshme dhe ne do t’i implementojmë me përkushtimin më të madh. Sepse kemi obligim ligjor dhe kushtetues.

Ndërkohë ka pasur edhe reagime të NATO-s për mënyrën dhe kohën kur është votuar ushtria e Kosovës?

Rrahman Rama: Ne duhet ta kuptojmë që NATO sa është organizatë ushtarake, është edhe politike dhe vendimet e NATO-s merren me konsenzues. Problemet i kemi pasur me vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. NATO-n ne e kemi këtu. Është ekipi këshillues i NATOs, me të cilin ne punojmë çdoditë bashkë. Janë këtu, do të vazhdojmë bashkëpunimin, do ta thellojmë bashkëpunimin, sepse qëllimi dhe orientimi ynë i qartë është që të jemi pjesë e strukturave euroatlantike dhe në këtë rast, të familjes së madhe të NATO-s.  Këto deklarat që kanë dalë, qofshin prej sekretarit të NATO-s, ne e kuptojmë që ai duhet ta mbajë një unitet brenda për brenda NATO-s. Por, çka është me rëndësi, ne kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm si marrëveshje bilaterale me shtete që janë anëtare të NATO-s.

Dhe kjo e lehtëson këtë proces?

Rrahman Rama: Patjetër që e lehtëson, ne do të bashkëpunojmë me NATO-n, do ta kemi përkrahjen e zyrtarëve të saj, pavarësisht atyre deklaratave e fundit. Unë kam qenë në shumë vende, në kryeqytete të Evropës, në Bruksel, në Berlin, në Romë, në Paris, por edhe në Uashginton, por edhe në vende të tjera. Qëllimi ynë ka qenë që t’i njoftojmë partnerët tanë për planet tona, projektet tona. Por, përgjigja e tyre në fund ka qenë që ju jeni vend sovran dhe është e drejtë e juaja që të merrni vendim. Dhe Parlamenti i Kosovës ka marrë një vendim të drejtë, sepse ushtria është shtylla kryesore e shtetit. Njëfar forme e kemi rrumbullaksuar infrasktrukturën shtetërore.

FSK ushtria e Kosovës është institucioni më i besueshëm për qytetarët dhe më i nevojshëm për ta. Me çfarë dinamike do të vazhdoni të konsolidoni dhe të forconi më shumë këto trupa?

Rrahman Rama: Ne që 7 vjet jemi institucioni më i besueshëm në vend. Qofshin ato sondazhe që janë bërë nga organizata vendore, por edhe ndërkombëtare. Është një motiv shtesë për ne. Dua të falënderoj me këtë rast, ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre. Besimi nuk ka ardhur vetvetiu. Ai është ndërtuar. Dhe kryesorja ka qenë me qytetarët, qofshin ato projekte humanitare, qofshin edhe aktivitete reale dhe jemi shumë afër me qytetarë. Siç thuhet në  popull “Me bë e bën, por me mbajt është më vështirë”, ne do ta mbajmë dhe do të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve padallim. Kapacitet aktuale që i kemi, do t’i mbajmë. Do të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe vetëm sa do ta rrisim bashkëpunimin me qytetarë, sepse ne jemi për qytetarë, ne iu shërbejmë qytetarëve. Detyrat e reja është një proces tjetër që ne gradualisht, hap pas hapi,  do t’i ndërtojmë në bashkëpunim dhe koordinim me të gjithë partnerët tanë.

Gjeneral, kohëve të fundit ka pasur ndërhyrje të Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë në FSK. Çfarë është disponimi i pjesëtarëve serbë, por edhe të komuniteteve tjera brenda FSK-së?

Rrahman Rama: Një pjesë e tyre me  kërkesa të tyre për demobilizim e kanë lënë FSK-në. Jo me dëshirën e tyre, por për shkak të presioneve që kanë ardhur nga jashtë. Neve na vjen keq që ka ndodhur ajo.  Nuk është fer, nuk është korrekte e as ligjore që të ndërhysh në punët e dikujt tjetër, sido që të jetë ky është realiteti. Ne e kemi një pjesë të tyre që janë në shërbim. Por edhe ata që kanë shkuar, e them me përgjegjësi të plotë që, kanë qenë shumë mirë të integruar dhe nuk e kemi pasur asnjë problem. Ne na gëzon fakti, se gjatë gjithë atij presioni dhe kërkesave të tyre për demobilizim, asnjë fjalë të vetme të keqe nuk e kemi pasur për institucionin. Kjo do të thotë që janë trajtuar si gjithë të tjerët. Kanë qenë të respektuar por edhe në sherbim sikur gjithë të tjerët. Ndërsa sa i përket disponimit të të tjerëve, ne kemi shumë kërkesa dhe aplikacione që dëshirojnë të jenë pjesë e strukturës tonë, ose e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne do t’iu japim mundësinë, do t’ju krijojmë hapësirë dhe ata do të jenë pjesë e jona. Sigurt!

Sa është nurmi që janë larguar deri tani?

Rrahman Rama: Zyrtarisht janë 71 pjesëtarë serbë që janë larguar, të tjerët vazhdojnë, është gjysma e të përgjithshmëve sa kanë qenë. Të tjerët avazhdojnë në shërbim, nuk kemi asnjë problem. Por, ne do ta rrisim këtë numër.

A keni plan të rekrutoni pjesëtarë të rinj?

Rrahman Rama: Tash do të kemi një fushatë rekrutimi, shumë shpejt dhe dyert e FSK-së do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës.  Të gjithë ata që i plotësojnë kriterët që kërkohen, do të jenë pjesë e strukturave të FSK-së.

Sa ushtarë të rinj do t’i rekrutoni në këtë fazë?

Rrahman Rama: Së shpejti, ne do të marrim ushtarë të rinj, sepse për kadetë përzgjedhjen e bëjmë varësisht prej nevojave që i kemi, sepse ne bëjmë një parallogari sa oficerë shkojnë në pesnion, sa mund të jenë të larguar për shkaqe diciplinore dhe mbi bazë të këtij vlerësimi e caktojmë nurmin e kadetëve që ne zakonisht i përzgjedhim deri në 20 dhe në atë “javën e ferrit”, diku 5 apo 6 e lëshojnë sepse nuk mund të përballojnë. Këtë vit do të bëjmë rektrutimin për 650 ushtarë të rinj. Pas përzgjedhjës me të gjitha kriterët që duhen, gjysma e tyre do të jenë pjesë e FSK-së në këtë vit, në pjesën e dytë të vitit. Pjesa tjetër do t’i kryen trajnimet bazike, sepse kur ata përzgjedhën nuk nënshkruajnë kontratë derisa nuk e kryejnë trajnimin bazik, i cili do të jetë 12 javë. Gjysma tjetër do të fillojnë në janar të 2020.

Gjeneral Rama, ndalemi tani tek karriera juaj, kur keni nisur për herë të parë detyrën e ushtarit?

Rrahman Rama:  Deturën e ushtarit e kam nisur në UÇK në vitet 1993-1994, kur kam veshur uniformën. Atëherë kam qenë 23 vjeçar. Kemi qenë një grup i vogël. Unë kam pasur fatin se kam pasur lidhje familjare me Jashari. Aty kemi filluar me komandantin legjendar Adem Jashari dhe me shokë të tjerë. Kemi vazhduar aktivitetin. Më 1998 unë jam emruar si komandant i Zonës Operative të Shalës, kam vazhduar atë detyrë deri në përfundim të luftës. Pas luftës kam qenë komandant i Zonës së IV pas transformimit të  UÇK-së në TMK, në Mitrovicë. Për një vit e kam ushtruar detyrën dhe tani jam transferuar prej zonës së IV, në zonën e V këtu në Prishtinë. Në 2006, jam emruar si zëvendëskomandant i TMK-së në atë kohë dhe deri në transformim. Në 2009 jam emruar si komandant i Forcave Toksore dhe të njëjtën kohë kam ushtruar edhe detyrën e zëvendëskomandanti të Forcës së Sigurisë, deri në vitin 2015. Në mars të 2015 jam emëruar si Komandant i Forcës së Sigurisë dhe tani jam këtu.

Gjithë kjo karrierë ju ka sfiduar, por edhe keni mësuar gjatë këtij rrugëtimi?

Rrahman Rama: Absolutisht po. Kam mësuar shumë nga një pozitë në tjetrën dhe merr përvoja të reja, ke mundësi komunikimi me shumë nivele dhe gjithsesi mëson shumë. Unë kam pasur fatin, që kam punuar me njerëz të aftë për shërbim, dhe nuk mund të bësh asgjë pa e pasur një ekipë, pa e pasur përkrahjen. Edhe unë jam munduar në formën time që të jem afër të gjithë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve dhe do të vazhdoj këtë punë.

Disiplina në ushtri është më e larta. Janë të vështirë mëngjeset për ushtarët e rinj?

Rrahman Rama: Fillimi është gjithmonë i vështirë, por ushtarët e mësojnë. Iu bëhet një jetë rutinë brenda ushtrisë. Dua të them që “jeta në çizme” ne i themi, nuk është e lehtë, jeta në uniformë nuk është e lehtë, kërkon përkushtim, kërkon angazhim, duhet të jesh i gatshëm. Por, të njëjtën kohë disiplina është numër një. Pa disiplinë, nuk mund e mbanë as ushtrinë. Kjo na bën neve me u ndje krenarë para të tjerëve. Por, po them që “jeta në uniformë” dhe “jeta në çizme” nuk është e lehtë.

Kur t’ju vijnë ushtarët e rinj, apo kadetë të rinj, iu tregoni menjëherë për vështirësitë që i presin?

Rrahman Rama: Të jesh kadet është sfidë. Ne i zgjedhim më të mirët dhe ndjehemi krenarë me shkollën që kemi ndërtuar. Fal asaj shkolle, 95 për qind e kadetëve kanë qenë dhe janë studentë më të mirë, në çdo aktivitet ndërkombëtar që janë mbajtur jashtë vendit. Kjo arrihet me diciplinë, me përkushtim. Ne në fakt prodhojmë oficerë në atë shkollë. I përzgjedhim aq sa i kemi nevojat që i kemi. Ata kur e përfundojnë shkollimin 4 vjeçarë, që është sfidues, sidomos viti i parë, thehet ai far uni që njerëzit vijnë nga shoqëria civile dhe tani duhet të hysh në një botë krejt tjetër. Përveç diciplinës që është nuëmr një, duhet edhe përgatitjet metale, fizike etj, dhe të të njëjtën kohë ata kryejnë edhe edukimin civil. Ne paguajmë si institucion për ta. Ata të njëjtën kohë e kryejnë akademinë ushtarake. Pas 4 vjetësh ata dalin si oficerë të rinj. Bashkëpunimi që kemi me dy shtete, dhe partnerët tanë strategjikë, sidomos me SHBA-të, por edhe me Britaninë e Madhe, kemi marrëveshje, pasi t’i kryejnë akademinë, i dërgojmë për trajnime bazike për oficerë dhe vazhdojnë karrierën.

A ju ndodh që ushtarët e rinj të mos e përballojnë fillimin në ushtri dhe të dorëzohen?

Rrahman Rama:  Ndodh dhe ata largohen, sepse nuk janë të gatshëm. Pavarësisht se mund t’i ketë të gjitha përgatitjet, kur nuk është i përgatitur psiçikisht, atëherë edhepse mund të ketë dëshirë të madhe, mundësia është tjetër. Ka shumë raste. Me keqardhje ne i largojmë, por ky është mision që duhet të jesh shumë i angazhuar dhe i përgatitur në të gjitha aspektet që ta kryesh detyrën, sepse mund t’i bie që në të ardhmen të udhëheqë të tjerët.

Gjeneral, cilat janë kriterët që duhet t’i plotësojë një kandidat i ri, shkurtimisht?

Rrahman Rama: Duhet të jetë qytetar i Republikës së Kosovës, mosha duhet të jetë 18-23 vjet, mbarimi i shkollës së mesme, pastaj janë kriterët tjera, fizike, dukja, gjatësia, testet tjera, intervista testet inteligjente, kontrollat mjekësore, testi fizik, njhuritë e përgjithshme. Këto janë kritere për kadetë. Ne e kemi një “Java e ferrit” e quajmë që është java më e vështirë. Aty thyhet mendja e kandidatit që vjen nga jeta civile që nuk ka të bëjë me rregullat. Aty vlerësohet qëndrueshmëria fizike, mentale e psicike dhe ai që është i gatshëm dhe i përkushtuar, ne e vlerësojmë se e don uniformën. Në momentin që e don institucionin, sfidat tejkalohen. Por, pas 4 vjetësh kur ata dalin si oficerë të rinj, janë shembull, jo vetëm në institucion, janë shembull në familje, në shoqëri. Ata janë të gatshëm të udhëheqin të tjerët.

A ju ka ndodhur juve personalisht me u mërzit prej uniformës?

Rrahman Rama: Dua të jem real, ndodh që edhe gjatë ditës kur kemi ndonjëherë obligime të mëdha, aktivitete të shumta dhe lodhësh në kuptimin psiçik. Por, asnjëherë nuk jam merzitur prej uniformës.

Po, fëmijët tuaj?

Rrahman Rama: Unë i kam tre djemë. Nuk e di. Unë iu them edhe kolegëve këtu, që e para është me i shty me dashtë këtë institucion. Kjo puna e uniformës nuk është vetëm sa me zënë një vend pune. Ne kemi pasur disa raste dhe të gjithëve iu kam thënë që kjo nuk është ministri e administratës publike. Është një ministri, por institucion ndryshe prej të tjerëve. Por duhet ta duash edhe uniformën. Kur ta duash uniformën e don edhe vendin. Nuk e di çka do të vendosin djemtë e mi, janë të rinjë dhe kanë kohë të mendojnë. Dëshira ime nuk diskutohet, por mundësia të shohim, varet prej tyre.

Sepse të kesh një ushtark në familje është ndjenjë e veçantë?

Rrahman Rama: Absolutisht. Është një ndjenjë shumë e veçantë dhe vetë shërbimi është ndjenjë e veçantë, me gjithë obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë që i ka. Ne të gjithë që jemi këtu, duhet të jemi të gatshëm edhe me jetë ta mbrojmë vendin tonë. Prandaj, çdo familje, çdo prind, e ndjenë vetën krenar kur e ka fëmijën e vet, kur e ka në shërbim të vendit.

Një mesazh për të gjithë qytetarë, por në veçanti për ata që mund të jenë pjesëtarë të rinj të FSK-së gjatë këtij viti?

Rrahman Rama: Mesazhi im është ky: Ne e kemi kompletuar infrastrukturën shtetërore, e kemi ndërtuar shtyllën kryesore të shtetit. Pa siguri nuk ka ekonomi, pa siguri nuk ka as qetësi. Kështu që unë mund t’ju them të gjithë qytetarëve, që ne jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne jemi duke u zhvilluar që të jemi pjesë e strukturave euroatlantike. Asnjë shtet nuk ka më shumë se ne, madje ne jemi një hap më përpara dhe jemi shumë krenarë që kemi një gjeneratë të mirë dhe të re. Ne do t’iu krijojmë mundësi, hapësirë, dhe do t’i ndërtojmë të gjitha kapacitetet që të jemi kontribues të paqes, pavarësisht që jemi shtet i vogël, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Neve na kanë ndihmuar të tjerët, e ne tani do të ndërtojmë dicka që të kryejmë edhe një obligim ndaj partnerëve tanë që në kohëra më të vështira na kanë ndihmuar. Do ta bëjmë një fushatë të rekrutimit për të rinj dhe dyert tona janë të hapura. Të gjithë ata që e vlerësojnë veten që të jenë pjesëtarë të ushtrisë së Kosovës, janë të mirëseardhur.

Sa pjesëtarë keni tani?

Rrahman Rama:  2500 aktivë, në të ardhmen do t’i kemi 5000 aktivë 3000 rezevrë, dhe cdo vit rdo t ërekrutojmë rreth 300 rekrutë djemë dhe vajza të reja që do t’i bashkohen forcës.

 

 

 

 

 

 

 

Autor: Hyrë Tejeci