Përzgjidhen poetët për Orën Letrare “Pena e Flakës”

Përzgjidhen poetët për Orën Letrare “Pena e Flakës”

“Flaka e Janarit 2019” ka hyrë në fazën përfundimtare. Me dy aktivitetet e fundit, njëri letrar dhe tjetri muzikor, të enjten përmbyllet edhe për sivjet ky manifestim, që për tri javë rresht grumbullon në Gjilan artistë e artdashës nga të gjitha trojet shqiptare.

Komisioni përzgjedhës i pjesës letrare, që është njëra nga shtyllat e manifestimit, në përbërje të Nexhat Rexhës, Fatushe Halitit e Xhevat Latiifit, tashmë ka përzgjedhur për lexim në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2019”: Adem Xheladini (Kërçovë), Afrim Demiri (Ferizaj), Alketë Spahiu (Gjilan), Anton Nikë Berisha (Prishtinë), Arian Leka (Shqipëri), Arsim Halili (Kosovë Lindore), Donart Rexhbogaj (Pejë), Flutura Açka (Shqipëri), Linditë Doda (Shqipëri), Medina Pasoma (Vushtrri), Menduh Leka (Ferizaj), Mirela Papuçiu (Shqipëri), Mujë Buçpapaj (Shqipëri), Nikolla Spathari (Shqipëri), Nuhi Sadiku (Shtime), Prend Buzhala (Klinë), Rakela Yzeiri-Zoga (Greqi), Ramë Oraca (Podujevë), Rozafa Shpuza (Shqipëri), Selvete Abdullahu (Gjilan), Vjollca Dibra (Prishtinë). Jashtë konkurrencës do të prezantohen: Xhevat Latifi (Gjilan), Agron Tufa (Shqipëri), Ibrahim Kadriu (Prishtinë) dhe Ramadan Mehmeti (Prishtinë).

Njëzetenjë poetë nga kjo listë do të garojnë për çmimin kryesor të kësaj pjese të manifestimit – “Pena e Flakës”. Poezia fituese do të përzgjidhet përmes votave të poetëve. Në rast se pas votimit të parë, dy apo më shumë poezi kanë vota të njëjta, poetët konkurrues do të votojnë edhe një herë.

Nëse dhe pas këtij votimi, nuk do të përzgjidhet poezia fituese, atëherë Komisioni përzgjedhës, mes poezive finaliste do ta përcaktojë fituesin e manifestimit i cili nderohet me çmimin letrar “Pena e Flakës”.

Dhënien e këtij çmimi, sipas një tradite tashmë të krijuar, do ta bëjë fituesja e vitit të kaluar, që në këtë rast është shkrimtarja nga Tirana, Entela Kasi.

“Pena e Flakës” mbahet në përmbyllje të manifestimit “Flaka e Janarit”, më 31 janar 2019, ora 16:00, në Bibliotekën e qytetit, në Gjilan.

Po ashtu, në këtë ngjarje kulturore do të shpallen edhe rezultatet e konkursit anonim letrar në prozë e poezi. Krijimet e shpërblyera dhe ato që sugjerohen për botim, pas dëshmisë së autorësisë, do të botohen në revistën letrare-kulturore AGMIA.