​Këtë vit do të bëhet hapja e shërbimit të ri për brahiterapi

​Këtë vit do të bëhet hapja e shërbimit të ri për brahiterapi

Në Kosovë, në vitin 2018 janë rreth 1500 raste të reja me kancer në Klinikën e Onkologjisë në SSHKUK, që është një trend i njëjtë me vitin 2017 që dominon sëmundja kancerit të gjirit, kanceri i mushkërive dhe kanceri i zorrës së trashë.

Kështu u tha në tryezën me temë “Sëmundjet malinje, sfidat e menaxhimit të tyre në vendin tonë dhe në botë”, me rastin e Ditës Botërore të Kancerit, e cila u organizua nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe Klinika e Onkologjisë.

Drejtori i SSHKUK-ut, Basri Sejdiu, ka thënë se si menaxhmenti është i përkushtuar për trajtimin e sëmundjeve me kancer për të gjithë pacientët.  Ai theksoi se do ta mbështesin Klinikën e Onkologjisë me të gjitha pajisjet e nevojshme.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, tha se sëmundja e kancerit kërkon trajtim multidisiplinar, andaj në të gjitha drejtimet duhet të ketë përkushtim në luftën kundër kancerit.

Ai tha se shumë pacientë është dashur të trajtohen jashtë vendit, ndërsa kërkoi  rritjen e kapaciteteve profesionale, pasi kjo sëmundje kërkon kujdes më të madh.

Ndërsa, Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në SSHKUK, ka treguar lidhur me rastet e trajtuara në këtë klinikë, duke thënë se vitin e kaluar janë shënuar rreth 1500 raste.

Arbër Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve, ka kërkuar të krijohen kushte dhe shërbime edhe më të mira në Klinikën e Onkologjisë.

Ndryshe për Ditën Botërore të Kancerit, në tërë globin mbahen aktivitete ndërgjegjësimi dhe për parandalim. Po ashtu kjo ditë shënohet në Kosovë tash e katër vjet me aktivitete të ndryshme si dhe shpërndahen fletëpalosje në sheshet e Prishtinës.