VIDEO: Filmi “NË MES” në garën e filmit në Berlinale më 12 shkurt

VIDEO: Filmi “NË MES” në garën e filmit në Berlinale më 12 shkurt

Filmi “NË MES” i regjisorit Samir Karahoda është pranuar në garën ndërkombëtare të filmave në Berlinale.

 Karahoda tha sot në RTK se filmi do të ketë rastin të shfaqet shtatë herë gjatë tetë ditëve.

“Shfaqja e parë do të behet me 8 shkurt vetëm për mediet dhe industrinë e filmit, ndërsa premierën botërore  ku do ta kemi rastin të prezantohemi edhe si ekip e kemi me 12 shkurt”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Karahoda tha se filmi trajton fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin i cili veçmas theksohet nëpër këto familje.

Sipas tij, nëpërmjet këtyre personazheve portretizohet solidariteti dhe harmonia brenda familjes dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

“Kjo është ndoshta fotografia më e mirë për të treguar se sa e zbraztë është Kosova edhe pse në prapavijë ekziston një arsye shumë unike pse ndërtohen këto shtëpi. Aty e shohim dashurinë e familjes apo vëllezërve në mes vete. Është unike dhe nuk mund të gjesh në ndonjë vend  tjetër në botë që vëllai i ndërton shtëpi të njëjtë vëllait”, tha ai.

Regjisori Karahoda filmin e vlerësoi si një sukses të kinematografisë kosovare dhe i falënderoi të gjithë protagonistët të cilët kanë pranuar t’i ndajnë me të tregimet e tyre.