Talat Xhaferi flet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Talat Xhaferi flet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi thotë se të premten pritet që Parlamenti i Greqisë të ratifikojë protokollin e nënshkruar sot nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përmes së cilit mundësohet që Maqedonia të jetë shteti i 30` i anëtarësuar në aleancën më të madhe ushtarake.

Me këtë, Xhaferi thotë se po dëshmohet që Greqia po hap rrugën për Maqedoninë në NATO.

Gjatë një interviste për KosovaPress, Xhaferi ka përgëzuar qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë për këtë arritje, që ai e quajti ditë historike.

Ai ka pranuar që ka pasur shumë sfida deri në këtë arritje.

Kujtojmë se vendet anëtare të NATO-s, kanë nënshkruar sot, në Bruksel, protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në aleancën më të madhe ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, ditën e sotme e konsideroi historike.

Në mbledhjen e Këshillit, që zhvillua në selinë e NATO-s, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov.

Tani, Protokolli duhet ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare.

E deri në ratifikimin nga të gjitha vendet anëtare, Maqedonia mund të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, por pa të drejtë vote, ose vendosje të flamurit. Pasi të përfundojë ratifikimi, bëhet anëtare e plotë.

Hapja e rrugës drejt anëtarësimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, u bë me zgjidhjen e ngërçit 30 vjeçar mbi emrin, me Greqinë.