Letërkëmbimi i Petro Markos me Ernest Hemingway!

Letërkëmbimi i Petro Markos me Ernest Hemingway!

Shqipëria, ndonëse vend i vogël, ka në traditë pridhimin e një letërsie kualitative, qoftë në poezi, ashtu edhe në prozë.

Duke filluar që nga rilindasit me në krye Atë Gjergj Fishtën, Naim Frashërin, Pashko Vasën, Dom Ndre Mjedën e të tjerë e duke vijuar pastaj me prozën, ku i pari romacier është Dom Ndoc Nikaj, duke arritur deri te shkrimtari i njohur Ismail Kadare.

Mes kësaj aradhe shkrimtarësh, ndonëse pak më i heshtur se të tjerët, është edhe një ndër prozatorët më të mëdhenj, Petro Marko. Autor i sa e sa veprave, për fëmijë (Shpella e Piratëve) e për të rritur (Nata e Ustikës, Qyteti i fundit), Marko zë një vend të padiskutueshëm në panteonin e letrave shqipe.

Jeta e tij ishte e lidhur pazgjidhshmërisht edhe me luftrat, pasi ai, me dëshirë dhe vullnetariat, pati vendosur të shkonte në luftën e Sapanjës, gjatë së cilës, në Valencia u mbajt edhe “Kongresi i shkrimtarëve më të shquar të botës” ku ishte i ftuar.

Aty, ai takoi edhe Ernest Heminguej, shkrimtarin e njohur (dhe të preferuarin tim), autor i “Lamtumirë armë”, “Të kesh dhe të mos kesh”, “Plaku dhe deti”, “Për kë bie këmbana”, 20 poezive që akoma nuk janë botuar të shqipëruara (pritet të dalin në numrat e ardhshëm të revistës “Poeteka” nën shqipërimin e A.Dushi) dhe i sa e sa tregimeve si dhe lareant i çmimit Nobel në Letërsi.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Marko shkruan:

…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:

-Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!

-Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin “Hasta la vista”. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta “I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë”.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: “I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falenderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”

(Konica.al)