Serbët e Bosnjës krijojnë panel për ri-ekzaminimin e viktimave të Sreb

Serbët e Bosnjës krijojnë panel për ri-ekzaminimin e viktimave të Sreb

Qeveria e Republikës së serbëve të Bosnjës ka krijuar një panel të ri të enjten për të ri-ekzaminuar numrin e viktimave në Srebrenicë dhe Sarajevë, gjatë luftës së viteve 1992-1995, hap, i cili është kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar sepse është parë si tentim për rishkrim të historisë, transmeton Reuters.

Masakra ndaj myslimanëve në Srebrenicë dhe bombardimi i Sarajevës kanë qenë dy nga krimet më të mëdha të luftës, të cilat kanë rezultuar me ndëshkime për liderët serbë të akuzuar për gjenocid.

Rajoni serb ka pranuar më 2004 një raport që ka përmendur se forcat serbe janë përgjegjëse për vrasjen e rreth 8,000 burrave myslimanë rreth Srebrenicës.

Mirëpo ligjëvënësit i kanë kërkuar Qeverisë në muajin gusht të vitit të kaluar që të kundërshtojë këtë raport.

Ky vendim është inicuar nga presidenti i atëhershëm i atij rajoni, Milorad Dodik, nacionalist, i cili tani është pjesë e presidencës tripalëshe të Bosnjës, transmeton REL.

Dodik ka kundërshtuar vendimet e dy gjykatave për krime të luftës, Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se mizoritë të Srebrenicë përbëjnë gjenocid.

Ministri i Drejtësisë për Republikën e serbëve të Bosnjës, Anton Kasipoviq ka thënë se panelet e reja kanë qëllim që të koleksionojnë të dhëna dhe fakte të rëndësishme për viktimat në të dyja qytetet.

Bashkimi Evropian në anën tjetër ka kundërshtuar ndonjë refuzim apo keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se tentimet për të kundërshtuar apo ndryshuar raportin për Srebrenicën “janë pjesë e përpjekjeve më të gjera për të ndryshuar faktet e luftës, apo për të mohuar historinë”.