Basha, në Kukës: Rama ka ndjekur politikë spastrimi

Basha, në Kukës: Rama ka ndjekur politikë spastrimi

Kryetari i Partisë Demokratike është ndalur në Kukës paraditen e kësaj të premteje, ku është takuar me banorë të qytetit për të dëgjuar nga afër hallet dhe ankesat e tyre.

Akuzat e tij në drejtim të kryeministrit Rama dhe qeverisë në pushtet kanë qenë të shumta, e kanë arritur deri te “spastrimi”.

“Gjendja këtu është më e rëndë. Edi Rama ka ndjekur me Kukësin një politikë spastrimi dhe zbrazjeje. Ky është njeriu që na hiqet si patriot i madh, por e ka shprehur i pari ‘A ka mundësi me e heq Kukësin e me ia çu Kosovës, që të mos kemi votën e kuksianëve?’. Ai e di që nuk e ka mbështetjen e kuksianëve dhe qëllimi i tij ishte zbrazja e Kukësit, për t’i larguar nga shtëpitë e tyre. Ndaj Kukësi ka shkallën më të lartë të emigracioni në të gjithë Shqipërinë. Masat që ka marrë, vendosja e traut, heqja e universitetit, mbytja dhe shkatërrimi i biznesit kanë goditur Kukësin dhe të gjithë Shqipërinë”, tha Basha, transmeton TCH.

Kryeopozitari u zotua para qytetarëve kuksianë se do të zhbëjë çdo padrejtësi që Edi Rama ka bërë kundër tyre, që në javët e para pasi të vijnë në pushtet.

“Duke nisur me anulimin e traut që ka vënë për t’iu ndarë nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Do të zerojmë taksën. Ju e arritët një sukses dhe i treguat rrugën sesi komunikohet me Edi Ramën”, tha Basha në këtë aspekt.

Sa i përket gjërave që do të bëjë për Kukësin, kur të vijë në pushtet, Basha e nisi nga arsimi.

“Ne do të rihapim Universitetin e Kukësit. Rihapja e universitet do të rikthejë këtu fëmijët tuaj, me kosto më të ulët. Do të financojmë praninë e pedagogëve, në mënyrë që këtu të jetë një qendër universitare e kërkimit shkencor, e trajnimit profesional. Ne do të marrim përvojën më të mirë gjermane, sepse gjermanët i kemi në krahë. Ne këtu do të ndërtojmë modelin gjerman, ku gjysmën e kohës studenti ta kalojë në universitet, gjysmën e kohës ta bëjë stazh pune. Jo vetëm do të sjellim profesorë e docentë, por do ta bëjmë qendër universitare të veriut të Shqipërisë, ku të vijnë nga Prizreni dhe zonat përreth”, tha Basha.

Në përfundim të takimeve është paralajmëruar të mbahet një protestë.