Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet edhe në tre vitet e ardhshme

Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet edhe në tre vitet e ardhshme

Banka e Shqipërisë vlerëson se “ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë tre viteve të ardhshme”.

Në raportin e publikuar së fundi mbi politikën monetare, Banka Qendrore kostaton se, “zgjerimi i kërkesës agregate (konsumit) do të sjellë rritje të mëtejshme të punësimit, duke krijuar premisa për rritje të pagave dhe të inflacionit të gjeneruar në vend”. Paralelisht me të, frenimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit do të reduktojë presionet dezinflacioniste të ardhura prej tij. Në përputhje me këtë skenar zhvillimesh, inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Paralelisht me zhvillimet pozitive të pritura sipas skenarit bazë, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se balanca e rreziqeve vijon të mbetet e shmangur në kahun e poshtë. Në veçanti, ambienti i jashtëm, ecuria e kursit të këmbimit dhe ritmi i rritjes së kreditimit, mund të shmangin inflacionin në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Në këndvështrimin e analizave të thelluar, Banka Qendrore argumenton për projeksionet e rritjes së konsoliduar të ekonomisë në vendin tonë.

“Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm, ndonëse intensiteti i stimulit do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Dhe Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të përsërisë thirrjen për vijimin e reformave strukturore, si instrumenti më i mirë për nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, citon raporti i BSH.