Nuredini takoi drejtorin e ri të Aviacionit Civil

Nuredini takoi drejtorin e ri të Aviacionit Civil

Drejtori i ASHNA-së Bahri Nuredini priti në takim Drejtorin e sapozgjedhur të AACK-së, Eset berisha me bashkëpunëtorë.

Drejtori Nuredini e mirëpriti Drejtorin Berisha, duke i uruar për pozitën e re, pasi që kjo edhe është vizita e parë e këtij të fundit në ASHNA, që nga marrja e postit si i pari i AACK-së. Gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat dhe të arriturat dhe planet e ASHNA-së, dhe të priturat për vitin 2019.

Drejtori Berisha takoi edhe përfaqësuesit e Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON), pasi që këta të fundit kanë paralajmëruar edhe mbajtjen e grevave nga java e ardhshme si shprehje e pakënaqësisë me përfshirjen e ASHNA-së në Ligjin për Paga në Sektorin Publik, i cili u miratua javën e kaluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, Drejtori i përgjithshëm i AACK-së parashtrojë kërkesën e tij para përfaqësuesve të SINKON, që të anulohet greva e paralajmëruar, pasi ka kohë deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe t`i ofrohet mundësi institucioneve të vendit, në radhë të parë Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për gjetjen e një zgjidhje për problemin e përfshirjes së ASHNA-së dhe AACK-së në Ligjin e Pagave.

Berisha theksoi se të dy këto institucione të sigurisë së vendit kanë natyrën e vecant të shërbimeve dhe kanë qëndrueshmëri financiare përmes vetfinancimit, pa e ngarkuar buxhetin e shtetit, prandaj duhet të trajtohen në mënyrë meritore.

Nga ana tjetër, kryetari i SINKON Artan Hasani, theksoi se propozimi i Drejtorit të AACK-së, Berisha, do të mirret në konsiderim dhe për të do të vendoset në takim me anëtarët e SINKON.