Shqipëria, aleat i vlerësuar dhe i rëndësishëm i SHBA-ve

Shqipëria, aleat i vlerësuar dhe i rëndësishëm i SHBA-ve

Shqipëria mbetet një aleat i vlerësuar dhe i rëndësishëm i SHBA-ve.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë qëndrimit të tij në SHBA, në kuadër të ministerialit të Koalicionit Global kundër ISIS, zhvilloi një seri takimesh me përfaqësues të lartë të administratës, Kongresit dhe Senatit amerikan, si dhe me homologë të tij, ministra të Punëve të Jashtme të disa vendeve europiane.

Gjatë takimeve me kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, zëvendësasistent Sekretarin Mathew Palmer, senatorin Gary Peters, përfaqësues të lartë të Këshillit të Atlantikut, si dhe me MPJ të Polonisë, Gjermanisë, Holandës, Kanadasë, Lituanisë, Turqisë dhe Suedisë bisedat u fokusuan në çështje të integrimit europian, bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, kryesisë së ardhshme të OSBE-së dhe proceseve të bashkëpunimit rajonal.

Zëvendësasistent Sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, pasi e uroi ministrin në detyrë Cakaj për detyrën e re, vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Koalicionin Global Kundër ISIS, angazhimin e Shqipërisë në NATO, si dhe kontributin konstruktiv të vendit tonë në Ballkanin Perëndimor për avancimin e axhendës europiane. Ai theksoi se Shqipëria mbetet një aleat i vlerësuar dhe i rëndësishëm i SHBA-ve.

Palmer përgëzoi Cakaj për kryesinë e radhës së OSBE nga Shqipëria në 2020 dhe e siguroi për mbështetjen e SHBA-ve gjatë saj.

Ministri në detyrë Cakaj vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe asistencën e çmuar që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë, si në reformat e brendshme, sidomos atë të drejtësisë, ashtu edhe në agjendën rajonale, europiane dhe më gjerë.

Cakaj i paraqiti Palmer një panoramë të hapave të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të pritshmërive për hapjen e negociatave me BE në qershor të këtij viti, si dhe dinamikën e bashkëpunimit rajonal në formate dy dhe shumëpalëshe.

Në takimin e zhvilluar me kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Kongresin Amerikan, Eliot Engel u nënvizua rëndësia e mbështetjes së SHBA-ve për hapat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të reformave, si dhe kontributin e vendit tonë në bashkëpunimin rajonal.

Nga ana e tij, kongresmeni Engel shprehu mbështetjen e SHBA-ve në kuadër të partneritetit strategjik dhe rakordimit të politikave për çështjet e sigurisë në arenën ndërkombëtare. Në takimin me senatorin amerikan Gary Peters, bashkëkryetar i Kaukusit Shqiptar, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, shprehu falënderimet për mbështetjen dhe kontributin që kjo platformë ka dhënë në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi një bisedë të zgjeruar me senatorin Peters për sa i përket sfidave aktuale dhe të ardhshme të Shqipërisë ku, kryesisht, u ndal në reformat e brendshme, zhvillimet e fundit në rajon dhe pritshmëritë në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë në BE.

Takimin e fundit ministri në detyrë Cakaj e zhvilloi me zëvendëspresidentin për Europën e Këshillit Atlantik, Damion Wilson, me të cilin u shkëmbyen mendime për situatën aktuale në BE, sfidat dhe pritshmëritë e Shqipërisë për hapjen e negociatave në qershor, raportet mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e Shqipërisë në këtë kuadër.

Gjithashtu, ministri në detyrë Cakaj dhe Wilson diskutuan mbi kontributet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe për mundësinë e organizimit këtë vit të aktiviteteve të përbashkëta, duke qenë se viti 2019 shënon edhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. /Atsh