Rasti i Kavajës/ Mbështetje për vajzën, bursë shkollimi

Rasti i Kavajës/ Mbështetje për vajzën, bursë shkollimi

Me porosi të Kryeministrit Rama, zëdhënësja e Qeverisë njëkohësisht edhe ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin ka vizituar familjarët e vajzës së mitur të përfshirë në ngjarjen e rëndë të Kavajës.

Gjatë takimit me prindërit e vajzës, Spiropali ka thënë se qeveria do të japë mbështetjen maksimale ndaj vajzës, duke e mbështetur këtë të fundit me çfarëdolloj shkollimi që ajo do të dëshirojë, brenda ose jashtë vendit.

“Ne duam ta ndihmojmë deri në fund dhe e kam porosi nga Kryeministri që nëse vajza do të ndjekë shkollën këtu, në kolegj apo jashtë vendit, ne do ta ndjekim me bursë dhe mbështetje, që ajo të zhvillojë të gjithë potencialin e saj, e pandikuar nga kjo ngjarje dhe jam e sigurt që do të shkëlqejë”, – tha Spiropali.

“Kjo që më ndodhi mua, uroj të mos i ndodhë asnjërit, por të jetë një mësim jashtëzakonisht i veçantë për të gjithë prindërit e Republikës së Shqipërisë, si djemve, edhe vajzave. Falënderim të veçantë Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, sepse vajza ka marrë takime me psikologen po kështu edhe me ndihmën e ministres së Shëndetësisë. Si vajza ime dhe shumë të tjerë, i uroj mbarësi në jetë, sepse kam një vajzë inteligjente, një vajzë shumë të mirë, me nota shumë të mira, kam një vajzë që ka një kurajo që nuk mund ta përshkruaj edhe unë si prind”, – u shpreh babai.

Spiropali tha se ky është një mesazh që i jepet gjithë shoqërisë.

“Kjo që the është shumë prekëse. Një baba i qëndron vajzës së tij deri në fund dhe është mesazh për të gjithë prindërit. Është edhe mesazh për ata që dalin nëpër ekrane dhe në vend që të jenë edukuese, janë rrënuese. Jua them me shpirt, që në këtë shtëpi me fisnikërinë që ju tregoni jeni shembull për të gjithë, sepse shoqëritë e qytetëruara dallohen nga mënyra se si përballen me dinjitetin e njeriut, e të miturit dhe ju po e trajtoni me fisnikërinë maksimale”, tha Spiropali.

Babai i vajzës dha edhe një mesazh për të gjitha mediet e vendit.

“I bëj thirrje medieve, nëse jam plagosur një herë, ju lutem mos më plagosni dy herë. Unë kam mbyllur çdo ekran televizori, çdo ekran Facebook-u prandaj i lutem me shpirt të gjithë medieve, keni fëmijë vetë. Mos i raftë ky rast kurrë asnjërit, por mbylleni njëherë e mirë këtë problem. Me lejoni ta përballoj me forcat e mia dhe të njerëzve të mi që më kanë mbështetur. Kjo që më ndodhi mua të jetë e para dhe e fundit që ndodhi në Republikën e Shqipërisë”, tha ai.

Ndërsa xhaxhai i vajzës tha se politika dhe mediet e kanë trajtuar problemin në një nivel foshnje. “Nuk e kuptoj pse vazhdojnë me tragjedinë e mbesës sime. I bëj thirrje të gjitha medieve, politikës, mos u merrni me një foshnje”, tha ai. /Atsh