Qosja: Vepra dhe emri i Kiço Blushit mbesin në historinë e kulturës

Qosja: Vepra dhe emri i Kiço Blushit mbesin në historinë e kulturës

Akademik Rexhep Qosja me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit, shkrimtarit dhe skenaristit të njohur, Kiço Blushi, ka thënë se ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare.

“Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, skenaristit, publicistit dhe veprimtarit të shquar kulturor Kiço Blushi. Të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e takuan siç pata fatin ta njoh e ta takoj edhe unë, nuk do ta harrojnë kurrë. Me fjalën e tij gjithmonë të ndershme, gjithmonë të qartë e të vendosur, me përkushtimet e tij mendore e ndjenjore ndaj të drejtës e të vërtetës, ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare. Vepra e tij dhe emri i tij mbesin përgjithmonë në historinë e kulturës së popullit shqiptar. Familjarëve, miqve e dashamirëve të tij të shumtë u shpreh ngushëllimet e mija më të thella”, ka skruar Qosja.

Dje është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare, Kiço Blushi. Ai lindi në qytetin e Korçës më 23 gusht 1943. Pas mbarimeve të studimeve për letërsi shqipe dhe ruse filloi punë si redaktor pranë RTSH dhe në 1974 si redaktor në Kinostudion Shqipëria e Re.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në 1975 si bashkautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në 1975 u vlerësua me çmimin e Republikës së klasit të tretë.

Blushi ka shkuar 14 skenarë filmash artistik dhe dy skenarë dokumentarësh e filma vizatimorë. Nga 1991 deri në 2006 ka qenë deputeti i Shqipërisë në Partinë Socialiste.