Ahmeti kërkon kandidat konsensual

Ahmeti kërkon kandidat konsensual

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ende beson në kandidatin e pranueshëm nga të gjitha partitë politike. Ai u shpreh se do t’i ftojë organet partiake për të vendosur nëse do të garojnë me kandidat të tyrin ose do të shkojnë me kandidat të përbashkët me LSDM-në.

“Në të mirë të vendit do të ishte sigurisht të kishim një kandidat të përbashkët dhe të bisedohet me të gjitha subjektet e partive politike që ky konsenzus të arrihet. Mbetet që kjo çështje të diskutohet në kryesinë e BDI-së, në Këshillin e Përgjithshëm të BDI-së, dhe të shohim se do ta vlerësojnë organet e larta të partisë këtë situatë”, tha për Tv21 Ali Ahmeti, kryetar BDI-së.

Lideri i BDI-së Ahmeti, është kundër zgjedhjeve të parakohshme për të cilët mendon se do të jenë në dëm të shtetit. Sipas tij tani më është koha për zhvillim të ekonomisë së vendit.

“Jo unë nuk mendoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse ka agjendë më të rëndësishme sidomos tani pas mbylljes së temave kaq të rëndësishme siç ishte marrëveshja e Prespës edhe Marrëveshja e Ohrit, si dhe marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë që kanë marrë shumë energji nga  të gjitha strukturat politike në vend aq më shumë të qeverisë së  RM-së tani më është momenti që Qeveria e RM-së të dalë me një agjendë shumë më të begatuar në një drejtim  zhvillimit të ekonomisë së vendit”, u shpreh Ahmeti.

 Ahmeti tha se pas ftesës së tij për një kandidat të përbashkët me partitë politike shqiptare është i zhgënjyer nga reagimi i tyre i parë. Lideri i BDI-së këto komente i bëri gjatë shfaqjes së filmit dokumentar kushtuar ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, i realizuar nga Televizioni Publik Shqiptar.