Shqipëri, nis puna për rrugën kryesore të Maliqit

Shqipëri, nis puna për rrugën kryesore të Maliqit

E shumë premtuar, ka nisur me fondet e buxhetit të shtetit puna për rrugën kryesore në Bashkinë e Maliqit. Fondi që i është dhënë pushtetit lokal për këtë investim është 1.6 miliardë Lekë për një gjatësi rruge 2.5 kilometër nga të cilat 1.1 km rrugë e re. Kryeministri Rama dhe ish-ministri Peleshi inspektuan punimet që pritet të përfundojnë në Qershor.

Një tjetër investim nga buxheti në këtë qark, i inspektuar nga Kryeministri është dhe ndërtesa e re e Bashkisë së Korçës fondi për të cilën ishte 144 milionë Leke. Sipas Kryeministrit, kjo godinë e re përfaqeson modelin e parë në Shqipëri të bashkisë së hapur për qytetarët.

“Është ultramoderne, por me shumë shije, më shumë harmoni, plus që ka shumë komoditet në shërbime, krijon një ndjenjë shumë pozitive”, tha Kryeministri Rama.

“Ideja këtu është që Bashkia të mos ketë barriera fizike ndërmjet punonjësve dhe qytetarëve që vijnë të marrim shërbime. Gjithçka është transparente. Sportelet, zyrat që kanë kontakte me qytetarët vendosen këtu dhe presin qytetarët për kërkesat që ata mund të kenë, ndërkohë që dhe pjesa tjetër e zyrave janë me xham, pra janë transparente dhe publiku, qytetarët shohin punonjësit e bashkisë për t’i vendosur në një lloj presioni pozitiv”, shprehet kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

Në Korçë, Rama vizitoi edhe shtëpinë e re të Engjëllushe Hysenllarit që u rindërtua me iniciativën e tij personale.