Shkolla e baletit objektiv i MASHT-it

Shkolla e baletit objektiv i MASHT-it

Themelimi i shkollës tetëvjeçare të Baletit Kombëtar është ndër objektivat e Ministrisë së Arsimit. Ministri Shyqyri Bytyqi i tha Radio Kosovës se tashmë kanë filluar aktivitetet në zbatimin e këtij projekti. E zyrtarë të Trupës se Baletit thonë se themelimi i kësaj shkolle është nevojë e kohmotshme për fatin se në vendin tonë nuk ka një institucion arsimor ku bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për trupën e Baletit.

Drejtori i Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj,  tha për Radio Kosovën, se kërkesa për themelimin e Shkollës së Baletit është kahershme, por deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.Brahimaj  tha se pas letrës se fundit që ia ka dërguar ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, Ministrisë së Arsimit, kanë marrë premtimin se themelimi i Shkollës së Baletit do të jetë prioritet i vitit 2019.

 “ Kemi bërë edhe më herët kërkesë qeverisje të kaluara dhe kemi pasur premtime se do të ndërtohet një shkollë tetëvjeçare e baletit.  Tash e kemi pasur një takim me ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi, dhe na ka premtuar që tash në muajin janar do të formojnë një grup dhe të shkojnë në Tiranë të shohin se si funksionin dhe çfarë duhet të ketë shkolla e baletit”,thotë Brahimaj.

Brahimaj po ashtu theksoi se kanë kuadro të mjaftueshme për shkollimin dhe përgatitjen e gjeneratave të reja.

“Kemi kuadro të kualifikuar për shkollë të baletit dhe jemi dëshmuar me koreografinë që e kemi. Kemi kaluar prej fazës emergjente, jemi stabilizuar dhe kemi një institucion që ka vlera dhe i cili çmohet jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, në lidhje me këtë, i tha Radio Kosovës se ministria që ai drejton e ka vlerësuar si të nevojshme themelimin e shkollës së baletit, dhe se do të jetë objektivë për këtë vit.

 “ Në kabinetin tonë është diskutuar gjatë për ndërtimin e shkollës së baletit. Por ajo çka është e rëndësishme për mua është se, nuk marr vendime veç sa për të thënë që kam, por kur të marr, do jem i  sigurt që do të realizohet. Dua të them që shkolla e baletit është më se e nevojshme në Kosovë. Por duhet ta shohim formën se si mund ta organizojmë dhe si do të funksionojë, dhe kjo do të jetë një objektivë për vitin 2019” , tha Bytyqi.

 E ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në letrën dërguar Ministrisë së Arsimit e  ka vlerësuar se kjo shkollë do t’i sigurojë vendit tonë breza të ri të balerinëve, të cilët do të jenë të përgatitur dhe shkolluar nga kuadro profesionale dhe që do t’i ndihmojë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe veprimtarisë së baletit në përgjithësi.

Autor: Ardiana Hajzeri