VIDEO-Kontrollorët ajrorë nuk heqin dorë nga greva

VIDEO-Kontrollorët ajrorë nuk heqin dorë nga greva

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) nuk ka lëvizur nga qëndrimi për grevën njëorëshe të paralajmëruar për të mërkurën. Greva vjen si reagim pas përfshirjes së kontrollorëve ajror në Ligjin për paga.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON), Artan Hasani  tha se Ligji për paga e cenon autonominë e agjencionit që garantohet edhe me ligjet e Bashkimit Evropian.

“Në bazë të rregulloreve dhe ligjit të Bashkimit Evropian  me Ligjin për paga i cenohet autonomia e këtij institucioni. Operatorët e  Shërbimit të Navigimit Ajror (OSHNA)  sipas rregullores së BE-së e kanë me ligj të garantuar autonominë në vjelje të të hyrave,  po ashtu edhe në shpërndarjen dhe administrimin e këtyre të hyrave. Në ketë rast ky ligj e pengon pjesën e administrimit të të hyrave", tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Hasani njoftoi se fillimisht kanë realizuar një formë tjetër të grevës që njihet si ofrim i shërbimit bazik, e që ka rezultuar me vonesa të fluturimeve deri në dyzetë minuta.

“Menjëherë na ka kontaktuar ministri  Pal Lekaj dhe e ka konfirmuar që në ligj ka pasur gabime dhe se ai nuk ka qenë i informuar që ne jemi futur në ligj. Na ka premtuar se do të angazhohet që të bëjë punën e tij sa i përket ose kthimit të ligjit, ose statusit të kontrollorëve  ajror”,sqaroi ai .

Ndërkaq, Zgjimi Topxhiu anëtar i SINKON-it, tha se nuk kanë lëvizur nga qëndrimi për grevën e paralajmëruar. “ Për të mërkurën e kemi paralajmëruar një grevë mirëpo presim vullnet dhe reflektim edhe nga institucionet përkatëse të Kosovës”, tha Topxhiu.

Sipas Hasanit, greva është drejtuar si mjet presioni ndaj institucioneve për tërheqjen e ligjit." I kemi dërguar edhe një letër presidentit ku kemi shprehur arsyet tona pse duhet të tërhiqet ky ligj prapa “, tha ai.

Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë: