Rasti i helmimit të Skripalëve diskutohet në Sofje

Rasti i helmimit të Skripalëve diskutohet në Sofje

Ambasadorja e Britanisë në Sofje, Emma Hopkins, diskutoi me zyrtarë të lartë bullgarë lidhjet e mundshme midis helmimit të një biznesmeni lokal në Bullgari në vitin 2015 dhe helmimit të një ish-spiuni rus në Britani, vitin e kaluar.

Hopkins u takua të hënën me kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, kryeprokurorin Sotir Tsatsarov, ministrin e Brendshëm, Mladen Marinov, dhe drejtorin e agjencisë së inteligjencës, Dimiter Dimitrov.

Takimi pasoi një raport që sugjeron se një i dyshuar i tretë në sulmin me agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, mund të jetë po ashtu i përfshirë në helmimin e biznesmenit bullgar, Emil Gebrev, në prill të vitit 2015.

Për këtë ka raportuar më 7 shkurt organizata hulumtuese britanike, Bellingcat.

Duke folur pas bisedimeve, Hopkins tha se Londra dhe Sofja po koordinohen nga afër rreth rastit.

Gebrev i ka mbijetuar helmimit, ashtu si edhe Skripalët.

Autoritetet britanike kanë akuzuar deri më tash dy rusë, që besohet se janë agjentë të inteligjencës ushtarake ruse GRU, për helmimin e Skripalëve në qytetin Sallsbëri të Anglisë.

Autoritetet ruse kanë mohuar çdo lidhje me këtë sulm.