Haradinaj: Do të jemi afër prodhuesve vendës

Haradinaj: Do të jemi afër prodhuesve vendës

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka zhvilluar një vizitë pune në kompaninë e prodhimeve nga druri “Gacaferi” në Pejë

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj u prit nga pronari Naim Gacaferi me bashkëpunëtorë, nga i cili është njoftuar për punët, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet kompania, e cila ka traditë rreth 60 vjeçare.

“Jemi përcaktuar që ky vit të jetë viti i ekonomisë, i prodhuesve, përpunuesve dhe kompanive të vendit, që atyre t’iu japim më shumë siguri, besim, e në raste të caktuara edhe përkrahje kur ka mundësi”,u shpreh ai.

“Jam rritur me emrin Gacaferi dhe nuk ka dikush në Kosovë që nuk e di për kompaninë “Gacaferi”. Janë njerëz të respektuar jo vetëm në Pejë, e në këtë trevë, por prodhimet e kësaj kompanie e kanë marrë besimin edhe të tregjeve të jashtme, si në Zvicër, Gjermani, etj”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se tani prodhuesit tanë e kanë më të lehtë të punojnë, meqë lënda e parë dhe pajisjet janë të liruara nga taksa dhe pikërisht në frymën e këtyre lehtësirave po zhvillohet edhe kjo vizitë, për të parë nga afër mundësitë për përkrahjen e bizneseve vendore.

Drejtuesi i kompanisë për prodhime nga druri “Gacaferri”, Naim Gacaferri, falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën, duke thënë se mbështetja e tij për bizneset vendore është ndihmë e madhe.

“Vitin e kaluar kemi pasur ngritje afër 30 për qind me eksport, ndërsa këtë viti presim që të realizojmë deri në 45 për qind”, tha Gacaferi, i cili ka të punësuar rreth 50 punëtorë dhe përveç tregut vendor, kjo kompani eksporton prodhimet e saj edhe në vendet të ndryshme të Evropës.

Vizita e Kryeministrit Haradinaj në fabrikën “Gacaferi” po zhvillohet në vazhdën e vizitave për të mbështetur dhe fuqizuar sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit, në kuadër të vitit ekonomik, i shpallur nga Qeveria e Kosovës.