Solskjaer i kujton PSG-së fitoren 7-1 ndaj Romës

Solskjaer i kujton PSG-së fitoren 7-1 ndaj Romës

Dita nis me zhvillime të rëndësishme në kampin e Manchester United në prag të superndeshjes me PSG për raundin e 1/8-ve në Champions League.

Fillimisht u publikua rinovimi i kontratës me Ashley Young edhe për një vit me “Djajtë e Kuq”, ndërsa më pas trajneri Solskjaer dhe sulmues Martial dolën në konferencë për shtyp, transmeton Telesport.

Në fjalën e tij, trajneri norvegjez theksoi se PSG është një ekip që është rritur shumë, mjafton të shohësh lojtarët që ka aktualisht në krahasim me vitet e kaluara, teksa shtoi se “Old Trafford” po përgatitet për një mbrëmje të madhe.

“Tifozët dhe lojtarët janë përqendruar te një natë e jashtëzakonshme që ‘Old Trafford’ do të ofrojë në një nga netët e kupave të Europës, të cilat kanë qenë gjithmonë speciale. Dua vetëm që lojtarët e mi të përfshihen në lojë. Ndeshja ime e fundit ishte kur mundëm Romën 7-1. Ishte një natë tipike e ‘Old Trafford’", tha Solskjaer.

Trajneri shtoi se nuk do e humbasë përqendrimin dhe shpreson që lojtarët të shfrytëzojnë mungesat e PSG-së. Ndërsa vijoi duke thënë se përdorimi i VAR është një evolucion i mirë, që lojtarët duhet të mësohen me të.

Ndërkohë Anthony Martial tha se nën drejtimin e Solsjkaer skuadra ka rilindur, po ashtu edhe ai, pasi ka ndryshuar filozofia e lojës. 

“Trajneri më kërkon që të sulmoj më shumë. Ai ka qëllime të tjera, dhe ne po përpiqemi të bëjmë atë që ai na kërkon. Është më e thjeshtë të luash këtë stil futbolli dhe jo stilin që Mourinho na kërkonte”, theksoi francezi. 

Më tej sulmuesi u ndal të vërë në dukje formën e Pogba, teksa tha se mesfushori ka kualitet të madh dhe po përmirësohet çdo ditë duke u bërë ndër më të mëdhenjtë në botë. Gjithsesi, Martial vuri theksin se duhet të jenë të kujdesshëm dhe nuk zbresin në fushë si favoritë.