Trump në fushatë për murin

Trump në fushatë për murin

Presidenti Donald Trump ka në plan të shkojë sonte në El Paso të Teksasit, për të siguruar mbështetje për ngritjen e një muri për të mos lejuar hyrjen e imigrantëve nga Meksika.

Presidenti po e shfrytëzon vizitën si një përpjekje për të evituar një tjetër mbyllje të pjesëshme të qeverisë, pasi të premten skadon afati për financimin e një të katërtës së operacioneve qeveritare. Muajin e kaluar ju dha fund mbylljes rekord prej 35 ditësh të qeverisë amerikane.

Qindra përkrahës të Presidentit ishin mbledhur të dielën në kufi, duke formuar një zinxhir njerëzor, me kërkesën për ndërtimin e murit.

Ligjvënësit demokratë dhe ata republikanë kanë mosmarrëveshje për ndërtimin e murit në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Trump kërkon 5,7 miliardë dollarë për financimin e tij. Opozita demokrate është gati të miratojë një fond, por ai është shumë më i vogël se sa ai që kërkon presidenti, transmeton VoA.

Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një mbylljeje të dytë të qeverisë, në se nuk do t’i pëlqejë marrëveshja për sigurinë që i paraqesin demokratët.