VIDEO: Stigmatizimi i epileptikëve në Kosovë

VIDEO: Stigmatizimi i epileptikëve në Kosovë

Sëmundja e epilepsisë në Kosovë shpesh është temë tabu dhe tentohet të fshihet. Për shkak të nivelit të ulët të civilizimit në vend, këtë sëmundje më vështirë e kanë ta përballojnë femrat pasi ato paragjykohen dhe stigmatizohen.

Burim Tahiri, neurolog tha se fshehja e kësaj sëmundje është gabueshme pasi që epilepsia sot mund të trajtohet dhe të kontrollohet dhe rreth 70 për qind e rasteve përfundojnë shumë mirë me terapi antiepileptike.

Tahiri tha se epilepsia është një çrregullim i funksionit të trurit që manifestohet në formë të krizave që kanë tendencë të përsëriten pa ndonjë shkak të njohur.

“Këto kriza munden me qenë me humbje të vetëdijes, por nganjëherë edhe pa humbje të vetëdijes. Epilepsia në vetvete nuk është sëmundje, por është simptomë e sëmundjeve tjera . Gjithmonë prapa epilepsisë fshihet një sëmundje e cila e shkakton epilepsinë “, tha ai sot në emisionin "Studio e Hapur" në RTK3.

Sipas tij, epilepsia mund të shfaqet në çdo moshë dhe ekzistojnë një sërë faktorësh që mund të provokojnë sëmundjen, si: temperatura, traumat e kokës, infeksionet.

“Në fakt epilepsia prek çdo moshë, prej të porsalindurit e deri te pacientët e shtyrë në moshë. Tek të porsalindurit shkaktarët më së tepërmi janë lindjet e vështira, kur vjen deri te lëndimet e trurit, mungesa e oksigjenimit të trurit dhe kjo shkakton lëndim i cili më vonë është bazë për paraqitjen e sulmeve epileptike, por edhe anomalitë e lindura si dhe sëmundjet inflamatore si dhe lëndimet e trurit”, sqaroi ai .

Në Evropë numri i të sëmurëve me epilepsi është rreth gjashtë milionë, në vendin tonë nuk kemi të dhëna të sakta, por përafërsisht mund të thuhet se ekzistojnë diku rreth 15 mijë të prekur nga kjo sëmundje.

Autor: Autor:RTKlive