Serbët e Kosovës i frikësohen idesë për korrigjimin e kufijve

Serbët e Kosovës i frikësohen idesë për korrigjimin e kufijve

Ideja për korrigjimin e kufijve i ka frikësuar serbët që jetojnë në Kosovë, andaj është bërë thirrje që të hiqet dorë nga kjo ide, si dhe nga ana e Serbisë është kërkuar të njihet realiteti i Kosovës si shtet i pavarur me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për serbët në Kosovë është rekomanduar një dialog i Qeverisë së Kosovës me komunitetin serb.

Kështu u tha me rastin e publikimit të hulumtimi të Komitetit të Helsinkit, raport ky i cili flet për jetën dhe pritjet e serbëve në Kosovë.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut,  ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga ideja për korrigjimin e kufijve, pasi që si e tillë ajo paraqet  rrezik për konflikt në Ballkan.

Ajo u shpreh se komuniteti serb në Kosovë jeton në kushte të vështira dhe se nuk kanë mbështetje nga Beogradi, por mungon mbështetja e duhur edhe nga Prishtina zyrtare.

Sipas saj, sfidë për serbët në Kosovë mbetet pranimi i identitetit kosovar, derisa theksoi  se ata janë ekonomikisht të varur nga Serbia.

Në bazë të këtij raporti del se edhe Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e komunitetit serb, andaj Biserko rekomandon që pala kosovare të fillojë një dialog me serbët e Kosovës për të përmirësuar jetën e tyre.

Problemet kryesore me të cilat përballen komuniteti serb në Kosovë janë gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale, pamundësia për punësim sidomos të të rinjve të këtij komuniteti.

Se ideja për korrigjimin e kufijve paraqet rrezik për të dyja shtetet, e tha edhe drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci,  i cili u shpreh se një ide e tillë shkatërron gjithë atë që është ndërtuar në këta 20 vjet në Kosovë.

Ai e ka përkrahur idenë që ekipi negociator t’i bëjë pjesë të dialogut me Serbinë edhe serbët e Kosovës.

Izabela Kisiq, drejtoreshë ekzekutive  e Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, u shpreh se në bazë të hulumtimeve të bëra, është vërejtur se ka rënie sa i takon integrimit të serbëve në Kosovë.

Sipas saj, propozimet për ndarjen e Kosovës te komuniteti serb ka krijuar paqartësi dhe pasiguri.

Ndërsa, Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se komuniteti serb në Kosovë gëzon të drejta të shumta, dhe se investimet për t’u kthyer ata në Kosovë kanë qenë të shumta. Sipas tij edhe sjellja e librave nga Serbia po ndikon të  krijohen përçarje në mes komuniteti serb dhe atij shqiptar në Kosovë.

Kurteshi tha se dialogu me serbët e Kosovës ka munguar sidomos tani kur edhe ata përfaqësohen nga Lista Serbe, e cila më shumë i përfaqësojnë kërkesat e Beogradit, sesa të komunitetit serb në vendin tonë.

Për krijimin e këtij raport janë intervistuar 40 respodentë  të komunitetit serb që jetojnë në enklavat e ndryshme në Kosovë,  dhe moshat kanë qenë të ndryshme.