Haradinaj: Ushtria nuk vepron kundër popullit të vet

Haradinaj: Ushtria nuk vepron kundër popullit të vet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një adresim për media në Bruksel, ka deklaruar se NATO-ja është e zhgënjyer për vendosjen e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe se, sipas tij, FSK-ja s’mund të futet pa lejen e KFOR-it në veri të vendit.

Për këtë deklaratë të sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenbergut, pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha: 

“Ne i kemi ofruar NATO-s një protokoll të ri të operimit në Kosovë, për gjithë vendin pa dallim, ku më nuk ka veri e jug – është një Kosovë. Ligjet janë për ushtrinë për gjithë vendin. Duhet ta kuptojmë këtë edhe presidenti edhe unë edhe dikush tjetër. Pa marrë parasysh si veprojmë, si shkruajmë apo si pozicionohemi. Ju e dini që mbi ne është Parlamenti dhe me 107 vota, pra më shumë se 2/3-tat i kanë dhënë mandatin ushtrisë së vendit për gjithë Kosovën, pa dallim. Pra, nuk ka më specifika – a  është veri, jug, lindje a perëndim. Ka diçka që është shumë me rëndësi, Kosova nuk është e interesuar kurrë me krijue doktrinë të ushtrisë që e shfrytëzon kundër popullit të vet.”

Kryeministri Haradinaj tha që serbët në veri kanë lindur aty, janë në vendin e vet dhe kurrë nuk duhet të shqetësohen që ushtria e Kosovës do të shfrytëzohet kundër tyre.