Programi Nacional për Rininë mirëpritet në Drenas

Programi Nacional për Rininë mirëpritet në Drenas

Në vazhdën e takimeve me drejtorët e shkollave, për shpalosjen e Programit Nacional për Rininë, Azem Guri, zëvendësministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së bashku me Gëzim Zeqirin, Këshilltar i Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, takuan sot drejtorët e shkollave të komunës së Drenasit të kryesuar nga drejtori i Drejtorisë së Arsimit Tefik Halilaj.

Zëvendësministri Guri, njoftoi drejtorët për fillimin e implementimit të Programit Nacional për Rininë që nga java e ardhshme.

Ai theksoi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për këtë program, për të cilin tha se do të ndikojë në rritjen e cilësisë së arsimit në vend.

Ndërkaq, Drejtori i DKA-së, Tefik Halilaj shprehu përkrahje të parezervë për implementimin e këtij programi në komunën e Drenasit.

Detajet rreth programit dhe mbarëvajtjes së garave u prezantuan nga këshilltari Zeqiri, i cili tha se janë hartuar udhëzuesit për secilin garë që parashihet në Programin Nacional për Rininë dhe se presin që procesi i realizimit të garave të shkoj si është më së miri.

Programi Nacional për Rininë parasheh zhvillimin e garave në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport.

Ai përfshinë të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe studentët e nivelit universitar.