Sa duhet të lexojmë?

Sa duhet të lexojmë?

Sipas një studimi të vitit 2014 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e njerëzve lexojnë mesatarisht rreth 19 minuta çdo ditë. Rezultati ndryshon kur flasim për grupmosha, pasi, po sipas këtij studimi, të rinjtë e moshës 25-34 vjeç lexojnë më pak, disa minuta në ditë.

Rezultatet nuk janë optimiste. Me ritmin e shpejtë të jetës, mbase harxhimi i orëve të tëra me një libër duket si mision i pamundur, por ju premtoj se me gjithë aktivitetet e tjera jetësore, gjithmonë mbeten më shumë se 20 minuta për t’iu përkushtuar leximit. Tani, përveç preferencave dhe studimeve, a ka një të dhënë shkencore mbi kohën që duhet të kalojmë duke lexuar?

Të gjithë e dimë që leximi ndihmon në përmirësimin e kujtesës dhe uljen e stresit. Me shumë mundësi këto përfitime nuk na vijnë për pak minuta, shkruan botimeshqip.com

Në fakt, ka disa udhëzime shkencore mbi kohën dhe cilësinë e leximit. Shifrat mund t’ju habisin.

1.Mund të lexoni vetëm 30 minuta çdo ditë

Studimet kanë treguar se ata që lexojnë të paktën 30 minuta çdo ditë jetojnë të paktën 2 vite më shumë se të tjerët që nuk lexojnë.

2.Por… 30 minuta çdo ditë për vite me radhë

Nuk është e mjaftueshme të lexosh 30 minuta në ditë për pak kohë. Studimi i mësipërm u realizua gjatë 24 viteve. Bëni mirë të nisni!

3.E rëndësishme është çfarë lexon

Përfitimet më të mëdha i kanë njerëzit që lexojnë letërsi artistike. Në fakt, sipas studimeve, subjektet që lexojnë letërsi 30 minuta në ditë për vite me radhë jetojnë më gjatë se ata që lexojnë vetëm gazeta e revista.

4.Shpejtësia e leximit është e rëndësishme

Nuk mund të uleni për 30 minuta, të lexoni vetëm një faqe me 3000 karaktere dhe ta quani punën të kryer. Shpejtësia e leximit ka rëndësi, gjithmonë pa humbur përqendrimin dhe kuptimin e asaj që po lexoni.