VIDEO: “Kultura për ndryshim”, projekt i BE-së që ofron grante

VIDEO: “Kultura për ndryshim”, projekt i BE-së që ofron grante

Qendra “Multimedia” në Prishtinë ka filluar me projektin “Kultura për ndryshim”. Nëpërmjet këtij projekti kjo qendër ka bërë thirrjen për aplikim për grante në fushën e kulturës.  

Arif Muharremi, menaxher i këtij projekti në një intervistë në RTK 3, ka bërë të ditur detajet e këtij projekti.

“’Kultura për ndryshim’ është projekt i Bashkimit Evropian, që menaxhohet nga zyra e BE-së në Kosovë dhe implementohet prej qendrës ‘Multimedia’ dhe institutit GETE”, ka bërë të ditur Muharremi.

Ai ju ka bërë thirrje organizatave kulturore dhe artistëve të Kosovës që të aplikojnë me projektet e tyre, siç kanë aplikuar edhe në thirrjen e parë në vitin e kaluar.

“Edhe sivjet janë të ndara 230 mijë euro për grantet e organizatave kulturore vendore. Procesi i aplikimit është i ndarë në tri lote: Loti i parë është i dedikuar për organizatat e mëdha kulturore të Kosovës dhe shuma maksimale që mund të fitohet është 20 mijë euro. Pastaj loti i dytë është për organizatat e mesme, të cilat i kontribuojnë edhe zhvillimit kreativ, ku për këtë lot shuma maksimale është 10 mijë euro. Ndërkaq, loti i tretë është më shumë i dedikuar për artistët individual ose grupet joformale të artistëve dhe shuma maksimale e grantit është 4 mijë euro”, ka sqaruar Muharremi.

Ai ka bërë me dije se thirrja është e hapur deri më 5 mars dhe të gjitha format e aplikimit të interesuarit mund t’i gjejnë në uebfaqen e qendrës “Multimedia”.

Për më shumë ndiqeni intervistën e plotë në videon e mëposhtme: