UP për 49 vite ka luajtur rol edukativ dhe politik

UP për 49 vite ka luajtur rol edukativ dhe politik

Prorektorja e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Myrvete Badivuku-Pantina tha se Universitetit të Prishtinës ka luajtur një rol kyç në krijimin e kuadrove, por ka qenë edhe pjesë e pandashme e të gjitha lëvizjeve dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Badivuku-Pantina në një interviste për Radio Kosovën tha se Ndikimi i Universitetit të Prishtinës ka qenë i dukshëm gjatë tërë kohës rreth zhvillimeve të përgjithshme në shoqëri.

Radio Kosova: Znj.Prorektore, sot mbushen 49 vjet nga themelimi i Universitetit të Prishtinës, që është një nga ngjarjet madhore në historinë e Kosovës. Universiteti ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, si në edukimin e brezave të tërë, ashtu edhe në shtet-ndërtimin e Kosovës. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Myrvete Badivuku-Pantina: Prej atëherë Universiteti ka luajtur një rol kyç në krijimin e kuadrove, por edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë kosovare. Universiteti i Prishtinës është marrë dhe vazhdon të merret me krijimin e kuadrove për nevoja të shoqërisë dhe të profileve të ndryshme. Universiteti aktualisht ka 13 njësi akademike, në të cilat zhvillohen programe të ndryshme, me një numër rreth 40 mijë të studentëve dhe staf numëron rreth 1 mijë e 800, ku bëjnë pjesë stafi akademik i rregullt, i angazhuar dhe ai administrativ. Me të gjithë kapacitetin që ka, UP mundohet vazhdimisht të plotësojë nevojat e shoqërisë. Ndikimi i Universitetit të Prishtinës ka qenë i dukshëm gjatë tërë kohës rreth zhvillimeve të përgjithshme në shoqëri.

Radio Kosova: Universiteti i Prishtinës ka qenë pjesë e pandashme e të gjitha lëvizjeve dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Ka kaluar periudha shumë të vështira nga represioni politik dhe policor serb ndaj studentëve dhe profesorëve shqiptarë si dhe ndaj studimeve në gjuhën shqipe në këtë universitet.

Myrvete Badivuku-Pantina: Universiteti ka kaluar nëpër ato faza sikurse edhe shoqëria jonë kosovare. Ka qenë periudhë e rëndë ajo e viteve ’90-ta, ku studentët dhe i gjithë stafi akademik e administrativ janë larguar nga vendet e punës. Më pas, universiteti është dashur të mbijetojë në rrethana plotësisht të reja, në kushte shumë të vështira. Megjithatë, është sukses i madh që UP ka arritur të mbahet dhe të vazhdojë me krijimin e kuadrove. Unë si pjesë e stafit akademik të asaj kohe, i mbaj mend shumë mirë ato kushte me të cilat kemi punuar. Motivi nuk ka munguar, ka qenë më i madh, sepse e kemi pasur frikën se mos po i kanoset rreziku shuarjes së UP-së. Ndërsa, sot rrethanat janë pozitive për zhvillimin e procesit të mësimit e të punës. Në kushtet në të cilat punojmë, jemi kërkues edhe ndaj vetes si staf menaxhues, që të krijojmë kushte më të mira për studentët dhe mësimdhënësit.

Radio Kosova: Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, Universiteti i Prishtinës ka pasur një zhvillim të madh. Çfarë mund të na thoni për zhvillimin e tij?

Myrvete Badivuku-Pantina: Vitet e fundit, që kur ne kemi marrë detyrën, kemi pasur përkushtimin që të mobilizohemi maksimalisht për të kontribuuar në krijimin e kushteve më të mira, për të ngritur cilësinë e studimeve në UP. UP është lider në rajon dhe ne mundohemi të mbajmë këtë nivel, madje ta ngremë atë për t’u krahasuar me universitetet e rajonit më të gjerë dhe vendeve më të zhvilluara.

Radio Kosova: Ndërkohë, tani jemi në një realitet krejt të ri. Sot Universiteti i Prishtinës, ka numrin më të madh të studentëve, programe të ndryshme studimi. Si e shikoni zhvillimin e këtij universiteti, a po arrihet ajo që ju dëshironi?

Myrvete Badivuku-Pantina: Ambiciet tona janë të mëdha. Kur kemi marrë menaxhimin menjëherë kemi filluar punën për hartimin e planit strategjik 2017-2019. Secili nga prorektorët ka fushën e vet që e mbulon dhe punojnë në drejtim të realizimit të objektivave.

Radio Kosova: Meqë jemi në këtë përvjetor, të flasim edhe për sukseset e Universitetit në arritjet e tij ndërkombëtare. Për herë të parë Universiteti i Prishtinës “ Hasan Prishtina” është renditur në vendin e 713-të në data bazën e Scimago-s. Gjithashtu, është ngritur në ranglistën globale të universiteteve dhe kolegjeve, Uebometrics. Si e vlerësoni këto renditje?

Myrvete Badivuku-Pantina: Ky është një sukses i madh për Universitetin e Prishtinës. Për herë të parë UP hyn në listën e portaleve që merren me vlerësimin e punës akademike të universiteteve. Mund të them që UP në këtë ranglistë është i vetmi universitet nga universitetet shqipfolëse. Ky sukses është arritur në saje të standardeve dhe kritereve që i ka vendosur UP për publikimet shkencore të stafit të vet. Qysh në fillim, në konkursin e parë të zgjedhjes së stafit akademik, ne kemi përgatitur rregulloren në bazë të së cilës kemi përcaktuar kriteret e publikimeve shkencore. Kjo ka ndikuar që stafi akademik të punojë në mënyrë më cilësore, me kriteret që janë të krahasueshme me kriteret e revistave shkencore në nivel botëror. Në kuadër të të arriturave që i ka pasur UP gjatë këtyre viteve, potencoj themelimin e disa qendrave. Kemi themeluar Zyrën për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara. Me këtë zyrë lidhen të gjitha hulumtimet dhe projektet që sponsorizohen nga organizata të ndryshme. Pastaj kemi Qendrën për Efiqencë dhe Energji, që është themeluar me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kemi Qendrën për Zhvillim të Karrierës, e cila ka të bëjë me studentët që mund të trajnohen për të përgatitur një CV në mënyrë profesionale. Një qendër tjetër që është themeluar është Venture UP, është një inkubator biznesi ku organizohen trajnime për studentë që kanë ide se si të realizojnë ndonjë projekt dhe si ta zbatojnë atë. Kemi edhe Qendrën për Ekselencë, që ka të bëjë me trajnimin e stafit akademik për procesin e mësimdhënies.

Radio Kosova: Megjithatë, Universiteti më i madhi në vend, vazhdon të përballet me sfida. Sa i përket infrastrukturës, mungesës së hapësirave në raport me numrin e madh të studentëve si dhe nevoja për shtimin e numrit të stafit akademik?

Myrvete Badivuku-Pantina: Infrastrukturën mund ta ndajmë në dy grupe: infrastrukturën që ka të bëjë me mungesën e hapësirave, por kemi edhe infrastrukturën e vjetruar. Këto tri vitet e fundit vazhdimisht kemi planifikuar në buxhetin e UP-së mjete financiare për ndërtime të reja. Mirëpo, gjatë kësaj jave, është hera e parë që kemi marrë një përgjigjeje pozitive nga Komuna e Prishtinës. Kërkesa jonë ka qenë e vazhdueshme prej tri vitesh për lejimin e një hapësire, ku mund të bëjmë ndërtime të reja për nevojat e UP-së. Komuna e Prishtinës, në mbledhjen e fundit ka marrë vendim pozitiv për lejimin e hapësirës për ndërtimin e objekteve të reja të UP-së. Kjo hapësirë do të jetë në afërsi të Fakulteteve Teknike. Jemi në fazën e përgatitjes së planit rregullativ. Prioritet për UP-në është ndërtimi i objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, pasi përballet me probleme të mëdha për shkak se objekti i tij është i amortizuar. Prioriteti tjetër është ndërtimi i Fakultetit Ekonomik, pasi aktualisht ka një hapësirë shumë të kufizuar. Kemi menduar që fakulteti ekonomik të zhvendoset. Edhe ky do të jetë në një hapësirë te Fakulteti Teknik. Për fazën fillestare kemi ndarë për të dy fakultetet nga 700 mijë euro. Sa i përket stafit akademik, UP ka rreth 930 mësimdhënës të rregullt, ndërsa numri i atyre që janë të angazhuar është 532. Për UP-në është më me vlerë dhe e nevojshme që stafin ta ketë të rregullt, pasi edhe kontributi është më i madh. Por, kjo ka qenë e pamundur për shkak të mungesës së buxhetit. Para dy vitesh kemi bërë ndryshime në rregulloren për kompensimin e stafit akademi dhe në rregullore ndryshimet kanë ndikuar që të bëjmë kursime në kategorinë e pagave, ku rreth 1 milion euro kemi pasur kursime. Kështu që, Ministria e Financave na ka lejuar që të bëjmë punësime të reja të stafit akademik. Në vitin 2018, për herë të parë është hapur konkursi për staf të ri akademik, ku kemi punësuar një numër të stafit dhe shpresoj që nga viti në vit ta kemi këtë mundësi, në mënyrë që të rrisim numrin e stafit të rregullt dhe të zvogëlojmë atë të të angazhuarve.

Radio Kosova: Ndërkohë, Ligji për Arsimin e Lartë është në proces të miratimit në Kuvendin e Kosovës. Ju si prorektore, si e keni parë këtë, cilat janë çështjet kryesore që rregullohen me këtë ligj?

Myrvete Badivuku-Pantina: Një nga pritjet tona të mëdha nga ky Ligj është rregullimi i pjesës së financimit të universiteteve. Universiteti i Prishtinës, sikurse edhe ato të tjerat publike, financohet nga buxheti i shtetit. UP në buxhetin e tërësishëm kontribuon me të hyrat e veta diku rreth 12 për qind, pra, është një pjesëmarrje mjaft e vogël. Synimi ynë në të ardhmen është që pjesa e financimit të të hyrave vetanake të rritet. Një burim i të hyrave është participimi i studentëve, që paguajnë për regjistrim. Kjo është shumë e ulët, pasi studentët e vitit të parë janë të liruar tërësisht nga pagesa, viti i dytë paguan 50 euro, po ashtu edhe i treti. Presim në të ardhmen që të rregullohet kjo çështje, pasi ishte dashur që kontributi të jetë më i madh nga ana e studentëve në financimin e studimeve të tyre, pasi edhe studentët do të vetëdijesohen dhe bëhen më kërkues. Sa i përket financimit, që pritet të bëhen ndryshimet me ligjin e ri, është pikërisht llogaritja e kostos së financimit të një studenti. Kur caktohet buxheti nga niveli qendror për një universitet, nuk mjafton të dihet vetëm numri i stafit dhe i studentëve për t’u përcaktuar ai buxhet. Janë edhe specifikat e tjera që duhet të merren parasysh. Të gjitha këto elemente pritet të rregullohen me këtë ligj dhe financimi të jetë më i drejtë.

Intervistoi: Albana Karaj

 


MË SHUME NGA Intervista