Policia e Kosovës ndër institucionet më të besueshme të Kosovës

Policia e Kosovës ndër institucionet më të besueshme të Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në intervistën dhënë Radio Kosovës, ka thënë se qytetarët vazhdojnë të kenë shumë besim në Policinë e Kosovës dhe shprehet i bindur se Policia do të ruajë besueshmërinë që ka.

Intervista e plotë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Radio Kosova: Rashit Qalaj, Policia e Kosovës, deri më tani ka qenë ndër institucionet më të besueshme në vend. A mendoni se ajo vazhdon ta ketë këtë shkallë të lartë të besueshmërisë te qytetarët?

Rashit Qalaj: Unë besoj se qytetarët e  Kosovës kanë shumë besim në Policinë e Kosovës, dhe nuk mendoj se ka ndryshuar diçka në këtë drejtim.

Radio Kosova: Policia e Kosovës vazhdon të mbetet një forcë që ofron siguri për të gjithë qytetarët. Megjithatë, për të pasur një polici të fortë, duhet buxhet. A është i mjaftueshëm buxheti aktual që i është ndarë Policisë së Kosovë për vitin 2019?

Rashit Qalaj: E dini që buxheti për këtë vit është i njëjtë me atë të vitit të kaluar dhe ne kemi përmbushur të gjitha nevojat tona me buxhetin që kemi pasur. Konsideroj se ne duhet së pari ta menaxhojmë buxhetin në mënyrën më të mirë, normalisht gjithmonë duke i planifikuar shpenzimet tona, edhe ato kapitale e edhe të tjerat. Besoj që buxheti do të jetë i mjaftueshëm, kemi shumë projekte në vazhdim dhe jemi duke bërë përpjekje që maksimalisht të jemi të kujdesshëm dhe të blejmë pajisjet e nevojshme dhe jo të luksit.

Radio Kosova: Kur jemi te buxheti, për vitin 2019, nuk kemi rritje te buxhetit. Sipas jush, sa do të ndikojë kjo në efikasitetin e punës së këtij institucioni?

Rashit Qalaj: Jo, nuk ndikon. Jemi të përgatitur ,të pajisur mirë, kemi kadetët në Akademinë Policore që tash do ta kryejnë akademinë në korrik të këtij viti. Po ashtu Qeveria e Kosovës na ka garantuar edhe 300 pozita shtesë në nivel të Policisë së Kosovës, të cilat na ndihmojnë shumë në kryerjen e punëve operacionale. Mendoj që do të kalojmë mirë edhe sa i përket aktiviteteve policore të mbuluara me buxhetin që e kemi të aprovuar.

Radio Kosova: Është premtuar se Policia e Kosovës do të pajiset edhe me mjete më të rënda, siç janë autoblinda, helikopterë ,etj. Kur pritet t`i ketë Policia në dispozicion këto mjete?

Rashit Qalaj: Ne kemi një numër të autoblindave dhe vazhdojmë që të bëjmë vlerësimin e nevojave operacionale dhe karshi nevojave e bëjmë planifikimin për blerjen eventuale. Ndërsa sa i përket helikopterëve, kjo çështje është më e ndërlikuar, është e nevojshme, mirëpo këtu duhet të vendoset në nivel të qeverisë, dhe tash me Ushtrinë e Kosovës ndryshon çdo gjë, dhe konsideroj se prioritet duhet të jenë helikopterët për Ushtrinë, por edhe Policia i ka nevojat e veta.

Radio Kosova: Kemi raste kur zyrtarët policorë humbin jetën në krye të detyrës. Por është evidente se ende nuk është zgjidhur çështja e sigurimit shëndetësor për pjesëtarët e policisë. A është duke u punuar diçka në këtë drejtim?

Rashit Qalaj:  Çështja e sigurimeve shëndetësore dhe jetësore është një çështje mjaft e ndërlikuar, meqenëse kanë ndërlikime bukur të mëdha buxhetore. Ne jemi duke biseduar edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me Qeverinë që të bëhemi me këto sigurime, mirëpo, parcialisht vetëm për Policinë nuk është e mundur, se duhet të bëhet një sistem edhe për të gjitha institucionet e tjera dhe besoj, se Qeveria e Kosovës e ka në konsideratë dhe së shpejti do të bëhet një zgjidhje.

Radio Kosova: Së fundi shihet që Policia po patrullon me armë të gjata. A është kjo si rezultat i grabitjeve të armatosura që janë shpeshtuar kohëve të fundit?

Rashit Qalaj:  Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar kemi pas rritje të grabitjeve dhe kemi bërë analiza se si t’i qasemi kësaj dukurie, dhe në kuadër të këtyre analizave ka dalë se patrullat policore kanë nevojë të pajisen edhe me armë të gjata. Kemi filluar me Prishtinën , Pejën dhe Gjakovën dhe do të vazhdojmë më të gjitha stacionet policore, që patrulla policore të ketë së paku nga një armë të gjatë. Është edhe për mbrojtjen e jetës së policit në radhë të parë, ofrimit të sigurisë për qytetarin, mirëpo është edhe një masë e domosdoshme kundrejt kërcënimeve që vijnë për jetën e policëve.

Radio Kosova: Tashmë jemi në vigjilje të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. A ka ndonjë plan operativ, të veçantë, kjo forcë për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të organizohen me rastin e pavarësisë së Kosovës?

Rashit Qalaj:  Për të gjitha manifestimet që bëhen për nderë të ditës së Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga institucionet e vendit, Policia është përgjegjëse për krijimin e kushteve të sigurisë, ngase ne jemi përgjegjës që të krijojmë kushte që populli i Kosovës të festojë në mënyrë të qetë, pa ndonjë problem, dhe jemi të angazhuar maksimalisht të ofrojmë siguri. Në emrin tim dhe të Policisë së Kosovës, popullit të Kosovës ia uroj 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë!

Autor: Arbenita Marmullaku, Radio Kosova