SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

SHBA do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë të udhëhequr nga senatori James Inhofe, dhe i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Haradinaj me këtë rast, shprehu falënderim të posaçëm ndaj senatorëve dhe kongresistëve amerikanë që ishin sot në Kosovë në shënimin e 11- vjetorit të Pavarësisë.

“Amerika është lidhja më e rëndësishme e Kosovës. Ne jemi përgjithmonë të rreshtuar krah Amerikës dhe jemi aleatët më besnikë të saj“, tha ai, duke shtuar se Kosova ndan vlerat dhe prioritetet me Amerikën në një gamë të gjerë aktivitetesh.

Haradinaj në këtë takim foli edhe për procesin e dialogut, konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe fuqizimin ekonomik.

 

“Kosova është e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë dhe për partneritet të qëndrueshëm me vendet aleate dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Mbi këto vlera është ndërtuar edhe shteti ynë dhe mbi këto vlera do të qëndrojmë gjithmonë“, tha ai duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të SHBA-së.

Ndërsa, senatori Inhofe tha se Kosova është një partner i rëndësishëm për SHBA dhe se shteti amerikan do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.


MË SHUME NGA Aktuale