Sejdiu: Integriteti territorial i Kosovës është i garantuar

Sejdiu: Integriteti territorial i Kosovës është i garantuar

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, ishte ngjarja më e rëndësishme për Kosovën në shekullin e ri, vlerëson presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ai në një bashkëbisedim me Anadolu Agency vlerëson kohën kur Kosova shpalli pavarësinë, marrëdhëniet e saj me vendet fqinje dhe tema tjera që ndërlidhen me pavarësinë e vendit.

Sejdiu thekson se për të mbërritur në atë moment, është dashur shumë sakrificë të gjeneratave të tëra, që kulmoi me luftën me pasoja të shumta të cilat i shkaktoi Serbia në Kosovë.

“Viktimat e shumta që janë, pastaj një dëbim i madh i popullsisë së Kosovës jashtë vendit, rreth 1 milion qytetarë, si dhe duke pasur parasysh edhe vrasjet, arrestimet dhe shumë forma tjera si shpërnguljet e torturat që janë bërë mbi gjeneratat që kanë kapërcyer. Prandaj ka qenë një fat për të gjallët që të përmbyllin këtë cikël pas një rezistence të fuqishme politike dhe të armatosur dhe pas një ndihme të jashtëzakonshme ndërkombëtare që i është dhënë Kosovës që të arrijmë ditën e lirisë”, thotë Sejdiu.

Ish-presidenti kosovar njëherësh ish-kryetar i ekipit negociator të Kosovës, rrëfen mbi shpalljen e pavarësisë, të cilës sipas tij i parapriu procesi negociator që udhëhiqej nga negociatori special i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari.

“Me atë që ne kemi ofruar si vizion edhe gjatë negociatave, ka qenë e bollshme që të kuptohet se Kosova vërtetë do të bëhet një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetit dhe do të jetë e tillë që do të mund të jetojë natyrisht në bashkëpunim ndërkombëtar me vendet e tjera sovrane. Dhe, ajo ditë kur bëhet shpallja e pavarësisë ka qenë një moment i ndjeshëm. Shumë kush ka dëshiruar ndoshta të jetë edhe më herët, por rrethanat kanë qenë të tilla që është dashur të përgatiten të gjitha elementet për të pasur finalen e 17 shkurtit”, theksoi Sejdiu.

Njohjet e para kanë qenë një gëzim i madh për ne

Ai thekson se data e shpalljes së pavarësisë ishte caktuar dy-tre javë më parë, edhe pse opinioni nuk ishte i informuar për të, për çka kishte pasur shumë emocione ato ditë. Ka qenë e nevojshme përgatitja e një numri dokumentesh të lidhura me kërkesën e adresuar shumë vendeve për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, të cilat i kishte nënshkruar ai, ose kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi. Gjithashtu, ka qenë e nevojshme t’u dërgohet një garanci e institucioneve të caktuara ndërkombëtare, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, NATO-s, për praninë e mekanizmave që do të jenë të pranishme në Kosovë, siç është EULEX-i, i cili erdhi më vonë për të mbështetur sundimin e ligjit.

Para shpalljes së pavarësisë, shton Sejdiu, ishte dashur të mendohet edhe për vet ceremoninë si dhe për sigurinë, sepse gjërat mund të rrezikoheshin nga ata që ishin kundër këtij akti, dhe nga ata që ishin instrument i atyre që propagandojnë se Kosova mund të shndërrohet në fuçi baruti, se do të ketë shpërthim në Evropën Jugperëndimore, se do të ketë një eksod të madh të qytetarëve serbë, se do të ndodhë persekutimi i tyre, gjë që fatmirësisht nuk ndodhi.

“Njohjet e para kanë qenë një gëzim i madh për ne, njohjet që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës, nga fuqitë e mëdha, nga vendet mike. Ne i jemi gëzuar secilës njohje, pavarësisht se është vend i madh apo i vogël dhe pastaj është punuar që të jetë një realitet i ri, pra një epokë e re në të cilën ka hyrë vendit”, tha Sejdiu.

Siç rrëfen ai, vijoi bartja e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare në ato vendore dhe angazhimi në disa fusha të rëndësishme, si zhvillimi ekonomik, investimi kapital, energjia, shëndetësia dhe përmirësimi i arsimit. Në të njëjtën kohë, thotë ai, ka punuar në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nismat rajonale, si dhe organizatat ndërkombëtare sportive si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, FIFA dhe UEFA.

“Në njohjet ndërkombëtare ne kemi arritur diku 100-115 vende që kanë pranuar vendin. Fatkeqësisht ka disa vende që kanë tërhequr njohjen, ato janë rezultat i politikës së papërgjegjshme që Serbia e bën, sepse ajo duhet të mendoj për gjeneratat e ardhshme dhe relacionet midis dy vendeve dhe jo të helmojë këtë rajon me qasjen jo të ndershme në mënyrën se si e ka bërë, por unë besoj se kjo do të kapërcehet”, tha Sejdiu.

Raporte të shkëlqyeshme me vendet fqinje

Sejdiu thotë se në 11 vitet e kaluara ka pasur disa stagnime dhe se duhet punuar më shumë në fushat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër fenomeneve negative të pranishme në Kosovë dhe në vendet e rajonit.

Njëkohësisht, thotë ai, janë ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me vendet fqinje, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, por edhe me Bullgarinë dhe Greqinë, ndonëse kjo e fundit nuk ka njohur Kosovën.

“Për fat të keq, kjo nuk kanë ecë me Republikën e Serbisë, për shkak të qasjeve që ajo në mënyrë jo racionale i ka pasur deri tani dhe të mbështetjes së saj në iluzione të hershme, duke menduar nganjëherë dhe thjesht duke dëgjuar deklarata për kthimin e Kosovës nëse nuk ndodh me vullnet atëherë me dhunë, mos heqja e Kosovës nga kushtetuta e tyre dhe çështje të tjera që janë më shumë mite të trilluara për Kosovën si djep i Serbisë, me të dhe gjëra që praktikisht nuk janë të këtij shekulli”, theksoi ai.

Ish-presidenti i Kosovës vlerëson se në Kosovë, as serbët e Kosovës, dhe as serbët nga Serbia nuk fajësohen kolektivisht, por vetëm ata që kanë kryer krime dhe që janë përgjegjës për politikën e keqe duhet të përgjigjen herëdo kurë, siç ishte rasti me kreun e shtetit serb, Sllobodan Millosheviq, dhe të tjerëve që ishin të afërm me të.

Dialogu me Serbinë është i nevojshëm

Fatmir Sejdiu është i mendimit se dialogu me Serbinë është i nevojshëm në mënyrë që të relaksohen marrëdhëniet mes dy vendeve, me çka do të hiqeshin pengesat për bashkëpunim mes dy shteteve sovrane, por se nuk ka nevojë për një dialog i cili sipas Serbisë, do ta vendoste Kosovën në pozitë të një statusi të papërfunduar politik.

Ai shprehet se ka pasur qasje në Platformën e Dialogut të cilin e ka hartuar ekipi negociator i Kosovës, dhe se duhet besuar se ajo Platformë nuk do të dalë nga korniza e kushtetutës, sepse askush nuk guxon të dalë jashtë saj.

“Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës në kuptimin territorial është i garantuar dhe i mbështetur ndërkombëtarisht dhe si i tillë ai duhet të mbrohet dhe askush nuk mund të ketë mandat që të kapërcej përtej asaj që kushtetuta e vendit e parasheh”, theksoi Sejdiu.

Në fund, ish-presidenti i Kosovës thotë se kushtetuta e vendit e cila për bazë ka Planin e Ahtisarit, ofron zgjidhje të mrekullueshme për pakicat në Kosovë, të cilat ndonëse përbëjnë tetë për qind të popullatës së Kosovës, trajtohen me dispozitat bujare të cilat shkojnë mbi standardet ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Aktuale