Kroaci: Gjendet e vdekur vajza e zhdukur 18 vjet më parë

Kroaci: Gjendet e vdekur vajza e zhdukur 18 vjet më parë

Në një fshat në Kroaci, brenda një frigoriferi është gjetur trupi i një gruaje e cila ishte zhdukur më shumë se 18 vjet më parë, njoftoi policia.

Policia tha se ka arrestuar motrën më të vjetër të Jasmina Dominic, e cila u raportua e zhdukur në vitin 2005, por ishte parë për herë të fundit në vitin 2000, kur ishte 23 vjeç.

Trupi u gjet të shtunën në një frigorifer në korridorin e shtëpisë së familjes Dominic në fshatin Pavlovec, në verilindje të Zagrebit, njoftoi policia përmes një deklarate.

Smiljana Srnec, 45 vjeçe, u arrestua ndërkaq po zhvillohet autopsia e trupit të motrës së saj, njofton Assocciated Press.

Zëdhënësi i policisë Nenad Risak tha se familja i kishte thënë policisë në të kaluarën se Dominic jetonte jashtë vendit.

Rasti ka tronditur Kroacinë, dhe shumë njerëz pyesin se si ishte e mundur që familja të kishte jetuar kaq gjatë me një trup të fshehur në shtëpi.

"Ata (familja) na orientuan në drejtime të tjera gjatë hetimeve", tha Risak duke dhënë detaje për hetimin fillestar lidhur me zhdukjen e Jasmina Dominic.

"Ne kontrolluam shtëpinë (gjatë hetimit) ... por nuk kishim informacion se mund të kishte ndodhur diçka brenda shtëpisë."