Pensionistët të lumtur për rritjen e pensioneve

Pensionistët të lumtur për rritjen e pensioneve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të cilët e falënderuan për vendimin për rritjen e pensioneve, ashtu siç u kishte premtuar.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, tha se pensionistët janë të lumtur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve, të cilat siç tha ai, tani do ta kenë një pension më të dinjitetshëm, njofton zyra për informim e Kuvendit.

“Ju falënderojmë që gjithmonë na keni qëndruar afër neve qytetarëve të moshës së tretë dhe po ashtu një falënderim që e mbajtët premtimin që na kishit dhënë për rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e pensionistëve pa dallim”, tha Kajtazi në takim me Kryeparlametarin Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se institucionet e Kosovës e kanë për obligim të kujdesen për të moshuarit, pasi sipas tij, falë punës dhe sakrificave të tyre, Kosova sot po konsolidohet dhe forcohet si shtet i pavarur dhe sovran.

Kryeparlamentari Veseli tha se përveç rritjes së pensioneve, do të gjejnë mënyrat më të mira që në të ardhmen e afërt, të krijohen lehtësira në institucionet shëndetësore për pensionistët, duke përfshirë trajtimin e tyre por edhe barnat.