Fruthi preku 91 persona, më të rrezikuarit ishin fëmijët nën dy vjeç

Fruthi preku 91 persona, më të rrezikuarit ishin fëmijët nën dy vjeç

Numri i fëmijëve të prekur nga fruthi po rritet me shpejtësi. Ndërkohë, numri i prekurve nga fruthi në të gjithë vendin, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, ka mbërritur në 91.

Në një kohë që Shqipëria duhej të kishte raste sporadike, apo asnjë person me fruth, për shkak se është një vend që ka në kalendarin e vaksinave të detyrueshme, edhe vaksinën antifruth, duket se kjo bie ndesh me rastet që diagnostikohen çdo ditë.

Qytetet me numrin më të lartë janë Tirana, me 55 raste pozitive, duke u pasuar nga Lezha, me 10 raste, e më pas Durrësi me 7 raste. Numri i fëmijëve të prekur nga virusi i fruthit po rritet për shkak se është rritur edhe numri i prindërve që refuzojnë t’u bëjnë vaksinën “MMR” fëmijëve në moshën 1 vjeç, apo dozën e dytë në moshën 5 vjeç.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, grupmosha më e prekur është nën 2 vjeç. Për këtë, ISHP-ja vijon t’u bëje apel qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të vaksinojnë fëmijët. Prindërit, të cilët refuzojnë vaksinën, janë ata që lexojnë informacione të ndryshme të shpërndara në internet nga grupet antivaksinë, duke e lidhur vaksinën me autizmin.

Ata firmosin pranë konsultorëve me ndërgjegje të plotë se nuk duan t’ua bëjnë vaksinën fëmijës. Por, ekspertë të Shëndetësisë në botë hedhin poshtë çdo argument që e lidhin vaksinën e “MMR” me autizmin. Kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, e vaksinimi bëhet edhe më i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e fruthit. /Tch