Vrasja për hakmarrje në Ferizaj, një muaj paraburgim për të miturin

Vrasja për hakmarrje në Ferizaj, një muaj paraburgim për të miturin

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të miturit Sh.R shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

I mituri dyshohet se më 20 shkurt të këtij viti në Ferizaj, për motive të ulëta nga hakmarrja e paskrupullt, me dashe, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.A, në atë mënyrë që i ofrohet nga mbrapa dhe e qëllon me revole një herë në kokë dhe dy herë në shpinë dhe pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i mituri largohet nga aty, me ç’rast tani i ndjeri M.A ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditëve.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.