Nis “gjuetia” për djemtë e El Chapos

Nis “gjuetia” për djemtë e El Chapos

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur akuza ndaj dy djemve të trafikantit Joaquin “El Chapo” Guzman Loera, për bashkëpunim në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe importim të tyre në vend, njoftoi të enjten Departamenti i Drejtësisë.

Joaquin Guzman Lopez, 34 vjeç dhe Ovidio Guzman Lopez, 28 vjeç, besohet se jetojnë në Meksikë dhe sipas prokurorëve amerikanë kanë kryer këto vepra penale që nga viti 2008 e deri në vitin 2018, periudhë gjatë të cilës kanë futur brenda territorit amerikan kokainë, marihuanë dhe amfetaminë.

Ndërkohë që autoritetet janë vënë në ndjekje të dy vëllezërve, babai i tyre, një prej trafikantëve më famëkeq meksikanë dhe kreu i Kartelit të Sinaloas, do të nisë të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm në ShBA, pasi u shpall fajtor për dhjetë akuza kriminale.

Megjithatë, autoritetet besojnë se drejtimin e Kartelit të Sinaloas e kanë marrë tashmë dy djemtë e tjerë të El Chapos, Ivan Archivaldo Guzman Salazar dhe Jesus Alfredo Guzman Salazar./a2news/