Demokratët me rezolutë për shfuqizimin e emergjencës kombëtare

Demokratët me rezolutë për shfuqizimin e emergjencës kombëtare

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka thënë se anëtarët e këtij organi do ta votojnë të martën një rezolutë që ka për qëllim shfuqizimin e gjendjes së emergjencës kombëtare, e cila është shpallur para disa ditësh nga presidenti Trump.

Kjo rezolutë është paraqitur nga anëtarët e Partisë Demokratike, ndërsa ky është hapi i parë për ta sfiduar vendimin e presidentit amerikan për mjetet financiare lidhur me ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën.

Pelosi ka parashikuar se kjo rezolutë do t’i marrë votat e mjaftueshme në Dhomën e Pëfaqësuesve, sepse shumica e anëtarëve të saj janë nga radhët e Partisë Demokratike. Në rast se rezoluta kalon në këtë votim, ajo do të dërgohet në Senat, ku shumica e senatorëve i takojnë Partisë Republikane dhe ku suksesi i votimit është më i paqartë.

Rreth 226 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë ofruar përkrahje përfaqësuesit demokrat nga Teksasi, Joaquin Castro, i cili e ka dhënë idenë për këtë rezolutë. “Ajo që presidenti është duke e bërë është marrje antikushtetuese e pushtetit”, tha Castro gjatë një konference për shtyp, duke bërë thirrje që të gjithë ta votojnë rezolutën, pavarësisht dallimeve partiake, shkruan “Reuters”.