Studentët francezë bojkotojnë mësimin për shkak të ngrohjes globale

Studentët francezë bojkotojnë mësimin për shkak të ngrohjes globale

Qindra nxënës dhe studentë francezë bojkotuan mësimin të premten për të demonstruar në bulevardet e Parisit, duke kërkuar masa urgjente kundër ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike.

Të mbledhur për të dytën javë radhazi, adoleshentëve nga vende të ndryshme të Europës iu bashkua këtë radhë nismëtarja e lëvizjes edhe 16-vjeçarja Greta Thunberg.  Vetëm një ditë më parë, e reja me origjinë suedeze, e cila është kthyer në një simbol të aktivizmit për klimën, mbajti një fjalim disa minutësh përpara liderëve politikë dhe të biznesit në Bruksel, ku denoncoi “lëmshin” mjedisor të krijuar nga mosveprimet e tyre.

“Shumica e njerëzve me të cilët flas nuk kanë as diturinë më të pakët rreth krizës klimatike që na kanoset, dhe kjo është absurde. Nuk pret koha që ne të rritemi dhe të marrim në dorë të ardhmen. Secili prej nesh duhet të kontribuojë, përndryshe nuk do të vlejë asnjë arritje historike apo progresi i qytetërimit tonë, dhe ju si liderë politikë do të konsideroheni si dështimi dhe keqbërësit më të mëdhenj në historinë e njerëzimit”, thekson Greta Thunberg.

Lëvizja studentore për klimën u krijua gushtin e kaluar nga 16-vjeçarja Thunberg, kur e reja e diagnostikuar në spektrin e autizmit nisi të protestojë për klimën përpara parlamentit të vendit të saj.

Niveli i dioksidit të karbonit është rritur me 30 për qind në 150 vitet e fundit ndërsa katër vitet e fundit janë më të ngrohtat që nga fillimi i raportimit. Me këtë trend, deri ne vitin 2100 temperatura do rritet me 3-5 gradë. Ndërsa synimi i lëvizjes mbetet përgjysmimi i gazrave të dëmshëm që lëshohen në atmosferë deri në vitin 2030, me qëllim që temperatura e Tokës të mbahet nën kontroll.