Botohet libri me 500 imazhe të rralla të kohës së komunizmit

Botohet libri me 500 imazhe të rralla të kohës së komunizmit

Rreth 500 imazhe të objekteve të përdorimit të përditshëm në kohën e komunizmit janë përmbledhur nga autorja Elektra Haxhia Çapaliku, në librin “Magazina e komunizmit shqiptar”.

Ky libër shënon kështu një ndihmesë në antropologjinë kulturore të së shkuarës sonë të afërme.

Autorja Çapaliku nëpërmjet imazheve të objekteve origjinale sjell; sistemin e tolonave, dushin me vajguri, karrocën me kuzhineta, një bigudinë të bërë me tubin plastik të instalimit të dritave, etj.

Këto 500 imazhe i ka grupuar në disa kapituj, si: Trieska e tullona, Mobileje, elektroshtëpiake, pajisje ngrohje edhe gatimi, ndriçues, telefona, aparate fotografikë dhe orë, enë kuzhine, kafe; cigare edhe takëme duhani; ujë dhe lëngje të tjera; pije alkoolike; veshje, artikuj shkollorë, biçikleta dhe akte të botuara në gazetat zyrtare.

Magazina e komunizmit shqiptar” është frut i një pune të gjatë kërkimore në terren dhe në nivele të tjera, si: biblioteka, internet e media sociale, për grumbullimin, sistemimin dhe interpretimin e objekteve, që kanë shoqëruar jetën e njeriut shqiptar në periudhën e komunizmit.

Libri vjen si një arkivë pamore, një katalog i koleksioneve të dyqaneve socialiste, duke pasur si qëllim të ofrojë një histori alternative të komunizmit shqiptar, nëpërmjet kulturës pamore të objekteve të përditshmërisë, historisë së penetrimit të projektit komunist në jetën private e urbane dhe përpjekjes për një unifikim total të shijes së shqiptarëve. /Atsh