Gratë e pamposhtura të Sulovës

Gratë e pamposhtura të Sulovës

Mendova të shkruaj për këto gra trime dhe aktiviste të pa lodhura, të cilat gjatë vitit 1943- 1944, punuan dhe u vunë në shërbim dhe dizpozicion të çështjes së LANÇ-it dhe të formacioneve partizane që vepruan në këtë zonë.

Gratë sulovare, kanë pritur e përcjellë partizanët me bukë, konë lare e pastruar rrobat, kanë mjekuar partizanët e sëmurë e të plagosur me ilaçe popullore, kanë kryer detyrën e korjerit, kanë shpëtuar parizanë nga vdekja, duke ja u marrë ballisteve nga duart etj. Në të gjith ë fshatrat e Zonës, por  sidomos në ato të kreshtës së kodrave të Sulovës së Sipërme, u vunë në funksionim këshillat Organizatës së Gruas antifashiste NAÇL qysh nga fundi i nëntorit të vitit 1943.

Në një bisedë që kam bërë, në maj të vitit 1988 në Durrës, me Ibrahim Brahon, pjesëmarrës në LANÇ,kuadër  në grupin lll të Skraparit, e më pas në Brigadën Vll, midis të tjerave  tregonte:“Kur vinim, në Jançë dhe qëndronim 2-4 ditë, Saltua (Zelihaja), kryetarja e gruas së fshatit, grumbullonte 6-7 gra të lagjes dhe me 6-8 kazanë bakri, tek “Çezma e Korbit”, tek arrat, grumbullonin dru dhe shkarpa, ndërsa pjesa dërrmuese e partizanëve qëndronin në shullë, në diell, tek varrezat e lagjes. Ata hiqnin rrobat sipas rradhës, të caktuar nga komandantët dhe shoqet tona partizane, i merrnin e i shpinin tek çezma për të larë e përveluar, për të hequr parazitët.”

Në periudhën kur u vendos një pjesë e teknikës propagandistike e Qarkorit të Beratit me Kahraman Yllin në shtëpinë e Saltianës, kryenin edhe detyrën si korierë, jo vetëm brenda fshatit Jançë, i cili është me lagje të largëta nga njëra tjetra, por edhe në fshatrat e rretheve fqinj, ku shfrytëzoheshin shkuarjet “në të parë” tek njerëzit e tyre. Ato u muarën edhe me mjekimin e partizanëve të sëmurë dhe të plagosur me ilaçe e metoda popullore.

Salta (Zelihaja) tregonte:” bashkë me nusen e shtëpisë Merjeme Tabakun , kemi  mjekuar për disa ditë ish anëtarin e Qarkorit të Beratit, Tajar Grepcka, të cilit i kishin ngrirë këmbët dhe gjunjët nga të ftohtët , duke e futur në fushi (në pleh të nxehtë. Kemi  mjekuar mjekuar 3-4 partizanë të plagosur, të cilët erdhën nga spitali i Dobrushës, dhe qëndruan 2-3 ditë në Jançë, në shtëpinë tonë, kur u mbyll Spitali i Dobrushës, në fillim të operacionit të madh të dimërit, të plagosurve dhe të sëmurve i shpërndanë nëpër familjet e fshatarëve.

Për siguri, i larguan nga fshatrat e Nahijes, duke kaluar nëpër Jançë për në fshatrat e Skraparit dhe të Korçës.Kemi  mjekuar partizantë  e plagosur të grupit të Skraparit, të Myzeqesë, të Brigadës VII–të dhe 3 partizanët e Brigadës së  I-rë Sulmuese  që u plagosën në luftën e Balibardhës më 4 prill 1944.

Ndërsa Havaja e Nazif Tabakut, mjekoi për rreth një muaj partizanin e Grupit të Myzeqesë, Sherif Nebiu, i cili ishte me plevit. Ajo theri delen dhe e futi në lëkurën e deles.

Saltiana u “përplas” disa herë me forcat e ballit, një herë me komandantin e Ballit, Myfit Kurtin.

Komandanti i Ballit, Myfit Kurti, i kërkonte me insistim se ku ishte fshehur partizani i rrezikshëm Tajar Grepcka. Duke sharë e fyer, kërcënuar dhe ulëritur, u largua dhe dënoi me vdekje në munges të zotin e shtëpisë  dhe njëkohësisht  anëtarin e këshillit Shasho Tabaku.

Një herë tjetër në Jançë erdhi çeta e Ballit, e komanduar nga Arun Labi  dhe arrestoi të zotin e shtëpisë dhe partizanin e sëmur. Të zotin e shtëpisë e   lidhën dhe  partizanin e sëmurë, Sherif Nebiun, e grupit të Myzeqesë e hypën në gomar, ndërsa  fëmijët të trëmbur qanin me të madhe.

Në këtë kohë u del përpara kryetarja e keshillit të Gruas antifashiste  e fshatit Saltiana, e cila bën debat të madh me Arun Labin, duke i thënë: Lëshoje , mos u merr me të sëmurët dhe kap kafshën prej kapistalli. “Ku e çon ti, atë të sëmurë, o ditë zi, ai është duke vdekur,  o i pa shpirt, more, hyzmeqar i të shiturve tek Nemcia (gjermani). Harun Labi e shtyu plakën, duke i rrëmbyer gomarin dhe e kërcënoi se do ta vriste dhe u  largua me forcat e tij në drejtim të Qaf-Dardhës.

Atë natë ndalon në  lagjen e Qafës në Çakall të fshatit Jançë, në shtëpinë e Fatime Tabakut. Therin 2 kokë bagëti dhe ia shtrojnë për darkë me raki, duke u ngrohur pas oxhakut, kurse partizanin e sëmurë, Sherif Nebiun dhe Nazif Tabakun i kishin lidhur në fund, tek hambarët.

Nga mezi i natës, kur ballistët ishin bërë çakërqejf nga rakia, Fatimja trime dhe e guximshme, zgjidh Nazifin, gjoja për të ngrohur dhe për të kryer nevojat personale dhe fshehurazi e nxjerr jashtë shtëpie, buzë një rrëkeje të vogël të thurur me thupradhe lyer një pjesë me baltë. Nazifi me kujdes ngre purtekat lart dhe del nga vrima e krijuar, e zhduket në erresirë. Kur rojet e ballistat e diktojnë, qëllojnë, por nuk e kapin dot. Ai u zhduk menjëherë i ndihmuar nga errësira e natës.

Por ditën e dytë afër drekës vijnë forcat partizane, të komanduara nga Xhevahir Spathara, të cilët kishin qënë afër, në fshatin Dardhë dhe ja behën në Çakalle. Ballistët sa e muarën vesh se po vinin fofcat partizane, ikin në panik, të trëmbur dhe lane aty partizanin e sëmurë të grupit të Muzeqesë, Sherif Nebiun.

Braush  Dyrmyshi tregonte: ”Forcat e grupit të tretë të Skraparit pasi thyenë forcat balliste të komanduara nga Xhaferr Bali në luginën e Tomorricës. erdhën në fshatin Bregas të Sulovës dhe lanë  në shtëpinë e Jaho Dyrmyshit, dy partizanë të plagosur rëndë për t’u mjekuar dhe u larguan në thellësi të fshatrave të Sulovës. Dy partizanët e plagosur i mjekonte e zonja e shtëpisë Razie Dyrmyshi dhe e jëma e Rushanit, Shaze Dyrmyshi me ilaçe popullore të pregatitura nga ato vetë. Dikush kishte spiunuarë e njoftuar ballistët, se Razija e Shazja strehonin e mjekonin partizanë të  plagosur. Në fshat erdhën forcat të shumta balliste të komanduara nga kryeballisti Emin Lamçe i Elbasanit. Dy grate, pasi muarën lajmin e ardhjes së forcave të ballit, i muarën dy partizanet e plagosur e i strehuan në një vend të fshehtë. Ndërsa në rrobat e shtruara ku ishin partizanët futet djali i Razies, Jahua. Ai lidh kokën me një rrobe e bëhet si i sëmurë. Razia fillon të tundëte ate pak qumësht të mbledhura gjatë dy ditëve për të nxjerrë një lugë gjalpë, për të pregatitur ilaçin popullor, duke e perzierë gjalpin me pak blozë, për lyerjen e plagëve të partizanëve.

Kryeballisti Emin Lamçe me larot e tij, vjen gjithë turfëllim dhe i kërkoi Razies se ku i kishte fshehur partizanët e plagosur.

-Nuk di ku jane partizanet, unë nuk kam partizanë, u përgjegjë ajo. Kam djalin shumë keq të sëmur, të shtrire në rroba.  Ai tenton të rrëmbej tundësin (dybekun) nga duart. Razia tërhiq dhe kryeballisti tërhiq. Kështu luftoi Emin “trimi” me tundësin, si Donkishoti me mullinjët e erës, deri sa e derdhi qumshtin. Pastaj i vuri grykën e dyfekut në kokë dhe e kërcënonte, “do të vrasë, po nuk më tregove, se ku i ke fshehur partizanët e plagosur? Ne kemi të dhëna të sigurta që ju strehoni e mjekoni partizanë “.

Ajo i përgjigjej: “Shkoni e gjejini atje ku janë, e luftojnë me dushmanin, Ata nuk rrinë si ju o ditë zesë, që merreni me tundësat e qumshtit të grave. Prandaj na lini rehat, se nuk jau kemi ngenë, kam një javë që po vuaj me djalin se e kam shumë të sëmurë, kurse ju bridhni si “demat e Zelos”, ku darka e ku dreka”.

Ndërsa Merjeme Basha në Tunjë, ka strehuarë e mjekuarë, komisarin e batalionit Vërçë-Sulovë Kiço Samarën, si dhe partizanin e plagosur të quajtur  Feim nga Skrapari.

Njëherë tjetër forcat gjermano -balliste  në befasi rrethuan shtëpinë e Tefik Brahimasit dhe i kërkojnë  që të dorëzonte  komunistin e rrezikshëm  elbasanas  Petrit Hakani. E zonja e shtëpisë u përgjigjet  se në shtëpinë e saj  nuk kishte  njerëz të huaj , përveç pjesëtarëve të familjes. Ballistët nuk lanë skutë, mullar e grazhd pa kontrolluar. Ata  duke u vërdallisur nëpër shtëpi klithnin e bërtisnin me inat, duke e kërcënuar, i kërkonin   zonjës së shtëpisë që të dorzonin  partizanin e  fshehur, komunistin Petrit Hakani. Nuk besuan…rikontrolluan me imtësi dhomat  një e nga një,dollapët e dhomave e sëndyqët, banjon, qilarin, gardhecët e misrit etj. Kur shkuan  në dhomën e vajzave, Lilia u bërtiti  ballistëve:” Ku shkoni more të paudhë, në dhomën e grave dhe të trembni  fëmijët që janë në gjumë?!Ju nuk paskeni as din e as iman! Turp, jeni dhe burra me mustaqe, o faqe zinj! Kontrolloni dhomat e sepetet e grave e të fëmijëve! Jazëk u qoftë o katilë e delenxhinj!” Pasi kontrolluan, anë e kënd shtëpinë, ballistët nuk e gjetën dot Petritin  të fshehur  e të maskuar  në mes   të vajzave, kërcënonin  të zotët e shtëpisë  me djegjen   e saj! Të tërbuar, se nuk e gjetën, u larguan si egërsira në errësirën e natës. Kështu pra, kur populli të do, të fsheh e të fut  edhe në gjirin e vet!

Ndërsa  e shoqe File Zanit,(Dymberasit)  Kanuçe Zani,  si kryetare e Organizatës së Gruas Antifashiste  e fshatit Dymberas   në 1944 , strehoi dhe mjekoi  për dy ditë, duke i  veshi si gra, 2 partizanët  e plagosur të Skraparit . Pas dy ditësh ajo  i transportoi me kafshë  deri  në fshatin Irmenjë  të Tomorricës tek Kareman Zaimi.

Me këtë rast po përmend  edhe disa prej emërave të këtyre veprimtareve të gruas antifashiste NAÇL të zonës së Sulovës si: Zyra Llahën, Hamite e Dile Miraka në Tunjë, Tariko e Selime Dyrmyshi në Sotirë, Bylyre Rrodhe në Ulovë, Xhile Kollçaku në Mendrak, Hyrije e Bajame Miraka në Sult, Zyfik Dollenga nga Irmanj i Sulovës, Naze Tafa Darzezë, Selime Murati Duzhë, Halime Daja, Kushovë  etj. Të më falë lexuesi, se ka edhe të tjera nëna heroina, që nuk u është përmëndur emri. Ato janë shumë në krahinën e Sulovës dhe unë nuk u a mbaj mend emrat e tyre.

Gratë Sulovës, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të LANÇ-it.  Qëndresa e tyre ka qënë heroike sa  edhe e burrave. Rol të veçantë luajtën  gratë në prapavijë. Për guximin e  veprimtarinë patriotike  të dhënë  gjat  LANÇ-it . Nga  Sulova  u zgjodhën dy  delegate për në Kongresin e l-rë të Gruas, Naze Tafa  bashkë me Saltjana (Zeliha) Tabaku dhe nga Vërça Zylfije Musai. Salta nuk shkoi dot në Kongres se shëndeti (sytë) iu keqësua shumë, kurse dy të tjerat morën pjesë në Kongres. Kështu që për në kongres ishin zgjedhur 3 delegate, dhe jo 2, siç është thënë.

Duke kujtuar 75 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, kujtojmë me mirënjohje dhe  dhe nderim të madh  të gjithë ato bija e nëna  të Sulovës që luftuan  me heroizëm  në përballimin e presionit dhe të trysënisë të ushtruar nga gjermano-ballistët gjatë LANÇ-it dhe për  ndihmën e madhe e të pa kursyer, që dhanë, për të gjitha ato formacione partizane që vepruan në këtë  zonë. /gazetadita.al

Shkruan: Hysen Tabaku