Pse më 1973 Nënë Tereza u dëbua nga Irlanda Veriore

Pse më 1973 Nënë Tereza u dëbua nga Irlanda Veriore

Shenjtorja Nënë Tereza (19010-1997), sipas dokumenteve të zbuluara kohët e fundit, në vitin 1973 ishte përzënë dhe detyruar të largohej nga Irlanda e Veriut. Këtë akt të pashembullt e kishte urdhëruar mëkëmbësi i parë i kardinalit të Belfastit, Fr. Padraig Murphy.

Si ka ndodhur kjo histori?

Në vitet 1971 -1973 Irlanda e Veriut ngjante si Shqipëria e viteve 1997-1999. Krizën tragjike dhe të vazhdueshme, që përjetoi Irlanda e Veriut në ato vite e përshkruan më se miri një raport i botuar në mars 1975 ku thuhej, ‘trazirat e viteve të fundit në Irlandën e Veriut kanë shkaktuar më shumë se 1100 të vdekur dhe 11 500 të plagosur, si dhe shkatërrime pasurish që arrijnë shumën e mbi 140 milionë paundëve. Ato kishin formën herë si prishje rendi, herë si akte terrorizmi, që do të thotë dhunë e organizuar për qëllime politike apo fetare. Shumica e akteve të terrorizmit vinte nga IRA, e cila falë një organizimi të konsoliduar, përbënte një kërcënim serioz’.

Në vitin 1971, Nënë Tereza ishte një misionare e njohur ndërkombëtarisht dhe e respektuar në mbarë botën për punën e saj më të varfrit.

Kur asaj i erdhi një kërkesë për ndihmë nga prifti i zonës perëndimore të Belfastit, Fr. Des Wilson, ajo u shpreh e gatshme për të shkuar ne ketë qytet për të ndihmuar të varfrit dhe për të kontribuar në procesin e paqes.

Një surprize tjetër ishte ajo që Nënë Tereza jo vetëm vendosi të shkojë, por deklaroi se misioni i saj do të vendosej në Ballymurphy – një lagje e Belfastit që ishte bombarduar vetëm dy muaj më parë dhe shkatërruar tërësisht nga dhuna e tmerrshme. Në gusht të vitit 1971, një prift katolik dhe një nënë e tetë fëmijëve ishin midis 11 njerëzve të vrarë nga Regjimenti Parashutist në atë lagje, që u bë e njohur si masakra e Ballymurphy-t

Dy shtëpi në Springhill Avenue

Në atë kohë, çdo banor veç donte të ikte nga ajo lagje, por papritur Nënë Tereza vendosi që qendra e misionit të saj dhe katër murgeshat që ishin me të, të vendoseshin pikërisht në këtë lagje.

Dy shtëpi ne Springhill Avenue, pjesë e lagjes e Ballymurphy u siguruan për motrat e Misionareve të Bamirësisë.

Shtëpitë ishin krejt të dëmtuara, por banorët kontribuuan dhe i ringritën ato. Që në fillim, murgeshat njiheshin thjesht si “Motrat e Nënë Terezës”. Fr Wilson e vlerësoi lart punën e këtij ‘manastiri’ të improvizuar, i cili siç deklaronte ai, ngriti lart moralin e komunitetit. Të rinjtë mblidheshin ne shtëpinë e motrave, këndonin, punonin, mësonin zanate të reja, disa mësonin të lexonin dhe të shkruanin.

Kjo shtëpi e Motrave të Nënë Terezës ishte një nga vendet e pakta ne atë zone me një telefon që punonte. Dhe shpesh nënat e shqetësuara vinin për të bërë ankesa apo dhe telefonata të dëshpëruara për mospagesën e përkrahjes sociale ose ankesa për anëtarët e burgosur të familjes.

Por, pavarësisht se fituan zemrat e gjithë banorëve të Belfastit, pa dallim nga besimet e tyre fetare, (protestantë apo katolikë), murgeshat nuk arritën të fitonin mbështetjen e disa klerikëve të lartë në Kishën Katolike të Belfastit.

Kishte një perceptim nga krerët e kishës katolike se puna e këtyre murgeshave ishte një turp për Belfastin, pasi krijonte idenë te të tjerët që krerët e kishës këtu nuk ishin të zotët t’i zgjidhin vetë problemet e banorëve të këtushëm pa një ndihmë nga jashtë.

Dëbimi nga Ballymurphy

Në fillim kundërvërja ishte e kamufluar, por më kalimin e kohës trajtimi i murgeshave nga ana e kishës u be i patolerueshëm. Sulmet morën ngjyra dhe forma të konflikteve të hapura.

Siç duket influenca dhe emri i mirë i këtij misioni bamirësie për shërbimet e punët e mira që bënin në komunitet, pa përfillur dallimet politike apo fetare e kishin zbehur rolin dominant të kishës katolike. Dhe krerët e kësaj kishe nuk mund ta toleronin këtë fakt.

Përfundimisht, në vjeshtën e vitit 1973 ato i dëbuan nga Ballymurphy, më saktë i detyruan të largoheshin. Kisha Katolike e mohoi faktin se e kishin detyruar Nënë Terezën dhe murgeshat e këtij misioni të largoheshin dhe thanë që Motrat e Bamirësisë kishin ikur me vullnetin e tyre të lirë.

Rrëfimi i Eileen Sweeney

Rrëfimi i murgeshës katolike Eileen Sweeney, e cila punoi pranë këtij misioni, i bërë në një dokumentar të BBC, shpalos të vërtetën tragjike të këtij dëbimi.

Ajo tregon me imtësi sulmet e vazhdueshme që disa krerë të kishës katolike u bënin këtyre misionareve. U trondita shumë – thotë ajo, kur një mëngjes kur shkova aty pashe që ato kishin bërë gati plaçkat dhe ishin bërë gati për të ikur. Pashë lot në sytë e Nënë Terezës dhe motrave të këtij misioni. Nënë Tereza më tha shkurt – Po ikim, nuk mund të rrimë më në një vend ku krerët e kishës katolike janë kundër nesh.

Pashë një letër të grisur në copa të vogla hedhur në dysheme. Pasi ato dolën, unë u mundova t’i mbledh dhe t’i ngjis copat e kësaj letre misterioze që i kishte detyruar këto misionare bamirësie të largoheshin. Ishte një letër e ardhur nga mëkëmbësi i parë i kardinalit të Belfastit, Fr. Padraig Murphy. Ai u thoshte se brenda 24 orëve duhejt të largoheshin nga Ballymurphy, në të kundërt do të përballeshin më pasoja të paparashikueshme.

Por jo të gjithë krerët e kishës katolike mendonin si Fr. Padraig Murphy. Një muaj pasi ato u larguan, një u hartua peticion nga famullitarët e kishave të kësaj zone. Ata vlerësonin punën e këtij misioni bamirësie në Ballymurphy.

Në ketë peticion ata bënin thirrje për një qasje të re në administrimin e famullisë, duke përfshirë krijimin e një këshilli famullitar, me një fjalë në zgjedhjen drejtuesve të rinj në hierarkinë e kishës katolike të Belfastit dhe disa çështje të tjera që preknin komunitetin lokal.

Nënë Tereza nuk e harroi kurrë Ballymuphiy-n. Në një lutje në vitin 1981 ajo e falënderon komunitetin e kësaj zone për mbështetjen që i dhanë misionit të saj në ata muaj që shërbyen atje. Ajo shprehet – Ju sjell lutjen dhe mirënjohjen time për gjithçka keni bërë për motrat tona, kur shërbyem atje.

Një monument në shenjë mirënjohje

Kishin kaluar shumë vjet nga ky dëbim i pashembullt, por si për ironi të fatit në vitin 2010 ngrihet një monument në Ballymurphy në përkujtim të punës së vyer të këtij misioni i kryer më aq shumë devocion në ato vite të trazuara. Misionaret e Motrave Bamirëse u kthyen në Ballymurphy në vitin 2010 dhe pas një ceremonie mbresëlënëse bënë një fotografi para kësaj skulpture ngritur në mirënjohje të punës së tyre.

Nënë Tereza tashmë është shpallur e shenjtë. Ajo është pranuar si shenjt nga të gjithë – madje edhe në Ballymuphy, prej ku dikur e patën dëbuar. Atje, ajo ka tani edhe një monument në shenjë mirënjohje të punës dhe kontributit të vyer të saj dhe motrave të misionit të saj në ato vite të trazuara për Irlandën e Veriut/ Ndrek Gjini/ Gazeta Shqiptare.