E vërteta mbrohet hapur

E vërteta mbrohet hapur

Bajram Kosumi

1.
Në vitin 1999 Prishtina u bë kryeqyteti botëror i gazetarëve. Ishte fat dhe pafatësi, njëkohësisht. Ishte fat sepse ata e informonin opinionin botëror për krimet e ushtrisë serbe, ishte pafatësi sepse ata ishin në Prishtinë për shkak të luftës së egër. Prishtina vlonte prej gazetarëve. Ndonjë mungonte. Nuhi Bytyçi mungonte të shumtën e kohës. Mungonte për shijimin e kafes së mëngjesit atëherë kur të gjitha informatat barteshin si ajri nga gazetari te gazetari në Prishtinë. Nuhi Bytyçi mungonte në Prishtinë, por nuk mungoi në Drenicë, në Dukagjin, në Llap dhe kudo tjetër ku luftohej. Sigurisht ai nuk luftonte ashtu si ushtarët e UÇK-së, por në një mënyrë tjetër po.


2.
Gazetaria në kohë të luftës ka dy misione: informimin dhe luftën për idealet e lirisë.
Pse këto dy misione?
Në çdo situatë kur shkelen parimet themelore njerëzore, gazetari, si çdo intelektual tjetër, është më shumë se gazetar.
“Kur vringëllijnë armët muzat flenë”, thuhej para disa shekujsh.
Në kohën e luftës së Kosovës, kur ekzistenca shqiptare në Kosovë ishte vënë në pikëpyetje, gazetari me lajmin e tij informon dhe lufton.

3.
Lufta është kufiri që ndanë dy epoka, dy grupe apo edhe më shumë, dy kultura, vizione etj.
Edhe lufta e Kosovës e ndante përgjithmonë Kosovën e robëruar dhe shqiptarin e robëruar nga prangat e robërisë dhe nga mendësia e robit.
Nuhi Bytyçi e kishte kuptuar këtë kufi ndarës edhe si njeri, edhe si gazetar. Si njeri ai rrezikoi jetën e tij dhe të familjes e të shokëve për ta kryer misionin e informimit. Ndërsa si gazetar ai e vuri emrin në çdo raport, intervistë, dokumentar a çfarëdo materiali informues për UÇK-në. Edhe atëherë kur të tjerët i thanë “mos e vë emrin se po rrezikon”, ai iu tha: “Jam gazetar dhe duhet ta them të vërtetën!”
Kishte të drejtë Nuhiu. E vërteta nuk mbrohet duke u fshehur.

4.
“Libri i luftës” i Nuhi Bytyqit është i shkruar me një ligjërim gati bisedor, e pikërisht kjo e bën të këndshëm jo vetëm për historianin, por edhe për lexuesin e thjeshtë. Duke rrëfyer punën e tij prej gazetari në shumë situata të ndryshme, sigurisht se ai na kthen prapa në kohë. Ata që e kanë përjetuar, do ta përjetojnë edhe një herë. Ata që nuk e kanë përjetuar, e këta do të jenë gjithnjë më të shumtë, do të befasohen se si është e mundur që gjithçka që ofron jeta reduktohet vetëm në një qëllim: lirinë në kohën e luftës.
Ky libër na e kujton pak atë kohë.

5.
Kam respekt për bashkëkohanikët tanë që shkruajnë kujtimet.
Vitet e fundit i kam lutur disa miq të mi t’i shkruajnë kujtimet. E pata lutur Adem Demaçin një herë t’i shkruaj kujtimet. Ai m’u përgjigj se është duke i shkruar në romane. Romani dhe kujtimet janë dy botë të ndryshme. Edhe sot besoj se, po t’i kishte shkruar Demaçi kujtimet, ato do të ishin një nga perlat e kulturës shqiptare. Para jo shumë kohëve e kam lutur për të njëjtën Hydajet Hysenin.
Historia e Kosovës, jo vetëm e Kosovës, por historia e vështirë e bërjes së lirisë në një situatë thuajse të pamundur, do të shkruhej shumë më mirë po t’i shkruanin kujtimet e tyre ata që e bënë këtë histori. I nxis të gjithë ta bëjnë këtë.
Në një situatë të tillë më erdhi ftesa për ta lexuar dorëshkrimin e kujtimeve të Nuhi Bytyçit.

Autor: RTKlive