Këshilli për Trashëgimi reagon rreth Kullës së Sulejman Vokshit

Këshilli për Trashëgimi reagon rreth Kullës së Sulejman Vokshit

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit për Kullën e Sylejman Vokshit në Gjakovë, aset i trashëgimisë arkitekturale në mbrojtje të përkohshme.

KKTK më dt. 19.07.2016 ka pranuar kërkesë nga Komuna e Gjakovës për vlerësimin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme me numër 000817, Kulla e Sylejman Vokshit me qëllim shpronësimi.

“Me këtë rast, KKTK në bazë të ligjit për trashëgimi kulturore, neni 4.22 ka themeluar Komisionin për vlerësim me qëllim që ti përgjigjet kërkesës së komunës së Gjakovës. Komisioni në fjalë më dt.09.12.2016 ka nxjerrë vendim të cilin e ka bërë publik dhe ia ka përcjellë institucionit kërkues. Në këtë mënyrë, KKTK ka kryer obligimin ligjor dhe detyrën që ka në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“KTKK nuk ka asnjë informacion zyrtar apo njoftim se cfarë ka ndodhur më pastaj me asetin Kulla e Sylejman Vokshit. Ndërsa, ditëve të fundit kur është riaktualizuar kjo çështje duhet të ritheksojmë se ligjërisht mbetet në fuqi vendimi 22/2016 i KKTK për vlerësimin e asetit. Sa i përket mënyrës së rregullimit dhe zbatimin e regjimit mbrojtës në bazë të nenit 6.4. dhe nenit 6.9 Ligji për Trashëgimi Kulturore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është institucioni kompetent që mund të lëshojë leje për ndërhyrje brenda zonës së mbrojtur të këtij aseti. Gjithashtu është me rëndësi të theksohet se MKRS nuk e ka propozuar asnjëherë pranë KKTK-së asetin “Kulla e Sylejman Vokshit” për vlerësim dhe shpallje në mbrojtje të përhershme duke marrë statusin përfundimtar sipas nenit 4.3 të LTK”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Prandaj, KKTK kërkon që të gjitha palët përgjegjëse dhe akterët e involvuar në këtë proces të kryejnë detyrat e tyre në pajtim me ligjin për trashëgimi kulturore dhe ligjet tjera të ndërlidhura me këtë rast duke mundësuar që të sigurohet mbrojtja më e mirë e mundshme për një aset të rëndësishëm, sic është Kulla e Sylejman Vokshit.